Vizita në Prishtinë dhe Beograd e dy senatorëve amerikanë, Ron Johnson dhe Chris Murphy, të cilët kanë dhënë deklarata të fuqishme për marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi, ka bërë bujë.


Senatori Chris Murphy kishte thënë se për të arritur marrëveshjen finale duhet të bëhen kompromise të vështira, duke bërë thirrje se të dy palët, Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë sakrifica, shkruan lajmi.net.


Një zgjidhje të vështirë për të dy vendet e ka paralajmëruar edhe senatori Ron Johnson, i cili ka thënë se marrëveshja është e domosdoshme, por do të jetë vështirë e pranueshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë.


“Kjo është e domosdoshme për të bindur popullin e Kosovës dhe të Serbisë, sepse ajo mund të jetë një marrëveshje të cilën ata mund të mos e pëlqejnë, pikërisht si Marrëveshja e Prespës. Qytetarët e Greqisë dhe asaj që sot është Maqedonia e Veriut nuk ishin të kënaqur me të. U desh guxim politik për ta arritur atë marrëveshje. Besoj se të dyja këto vende, pas jo shumë muajsh do ta kujtojnë këtë dhe do të thonë: përse e bëmë aq të madhe? Pse u grindëm aq shumë?”, ka deklaruar Johnson për Zërin e Amerikës.

E këto deklarata të dy senatorëve nuk i kanë pëlqyer ambasadorit të ri rus në Beograd, Aleksandër Bocan-Harchenko, i cili ka reaguar, duke thënë se koha kur SHBA-të i kanë treguar popujve se çfarë është e mirë e çfarë e keqe ka kaluar.

“Është befasuese që ende ka njerëz, madje edhe prej atyre me ndikim, si senatori amerikan, Ron Johnson, të cilët e dijnë shumë më mirë se si jetojnë kombe të tëra. Koha kur ata u kanë shpjeguar popujve se çfarë ishte e mirë për ta, çfarë ishte e keqe e çfarë e papranueshme, ka kaluar shumë kohë më parë”, ka thënë Bocan-Harchenko në një postim në Twitter.

Vizita e dy senatorëve amerikanë në Kosovë dhe Serbi u cilësua si një ofensivë e SHBA-ve në Ballkan, pasi ndodhi menjëherë pas emërimit të Matthew Palmer si Përfaqësues Special i SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor.

Palmer ditë më parë ka qëndruar për një vizitë në Podgoricë, nga ku kishte thënë se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është e mundshme.

  • foto galeri