KARAKAS, Venezuelë – Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të mërkurën ndaj 21 bashkëpunëtorëve të tjerë të Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke i akuzuar ata se ushtruan represion në periudhën që pasoi zgjedhjet e diskutueshme të muajit korrik në këtë vend.

Sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit përfshijnë zyrtarët e sigurisë dhe ata që janë pjesë e kabinetit të presidentit. Në mesin e tyre është kreu i agjencisë së burgjeve, drejtori i agjencisë së zbulimit dhe një ministër. Ata tani janë pjesë e një liste me dhjetra individë të Venezuelës që janë nën sanksione amerikane dhe që përfshin edhe kryetarin e gjykatës së lartë të vendit, ministrat dhe prokurorët.

Javën e kaluar administrata e Presidentit Joe Biden e njohu kandidatin e opozitës në Venezuelë, Edmundo Gonzalez si “presidentin e zgjedhur” të vendit. Shtetet e Bashkuara gjithashtu të mërkurën shpallën kufizime të vizave për një mori individësh që akuzohen se shtypën banorët e Venezuelës pas zgjedhjeve të 28 korrikut.

Ndërkohë që zoti Maduro shpalli fitoren në këto zgjedhje, ai dhe qeveria e tij refuzojnë të tregojnë numrin e votave si provë që do të mbështeste pretendimet e tij. Udhëheqësi opozitar Gonzalez u largua nga Venezuela në shtator për t’u strehuar në Spanjë pas lëshimit të një urdhër-arresti që lidhet me një hetim për publikimin e numrit të votave. Ish diplomati, i cili përfaqësoi partitë kryesore opozitare, pretendon se ka fituar zgjedhjet me një dallim të thellë.

Qeveria amerikane në shtator shpalli sanksione kundër 16 aleatëve të zotit Maduro, duke i akuzuar ata se penguan zgjedhjet e lira dhe se kryen shkelje të të drejtave të njeriut. Mbetet e paqartë se cili do të jetë ndikimi i sanksioneve dhe kufizimeve të vizave për individët e përfshirë. Zyrtarët e sanksionuar në këtë kaluarën, të cilët i qëndrojnë besnik zotit Maduro, vazhdojnë të kenë ndikim në qeverinë e Venezuelës.

Ligjvënësit e Venezuelës të martën vazhduan diskutimet rreth një ligji që do të kategorizonte sanksionet ekonomike si krime kundër njerëzimit dhe do të mundësonte përndjekjen penale të të gjithë atyre që shprehin përkrahjen e tyre për këto masa./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb