UASHINGTON

Qeveria amerikane do të njoftojë sot sanksione shtesë ndaj Venezuelës, Kubës dhe Nikaraguas, masa më e fundit kundër qeverive socialiste të hemisferës perëndimore.

Administrata e Presidentit Donald Trump i ka dhënë përparësi largimit të Nicolas Maduros nga pushteti si dhe njohjes së kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës Juan Guaido si president i vendit, i cili njihet gjithashtu edhe nga më shumë se 50 vende të tjera.

Përpara një fjalimi që pritet të mbajë të mërkurën në Majemi këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton, një zyrtar i lartë i administratës theksoi se të gjitha opsionet mbeten në tavolinë në lidhje me Venezuelën. “Duam një tranzicion paqësor të pushtetit, por jemi të vendosur që atje të ndodhë një transferim i pushtetit”, tha zyrtari i lartë i administratës. “Lëreni Maduron dhe besnikët e tij të shqetësohen rreth asaj se çfarë do të thotë kjo gjë”.

Zëri i Amerikës pyeti zyrtarin lidhur me padurimin në rritje për veprime më të ashpra nga Uashingtoni, në mesin e atyre përfaqësuesve të ushtrisë venezueljane, të cilët në heshtje po mbështetesin zotin Guaido. Zyrtari i administratës tha se “presioni maksimal” i zbatuar nga administrata Trump në tre muajt e fundit “ka çuar pranë pezullimit të veprimtarisë së qeverisë”.

Zyrtari shtoi se “është gabim të thuhet se gjërat kanë ngecur”. Si pjesë e përpjekjes për të larguar Nicolas Maduron, zyrtarët amerikanë gjithashtu po e thellojnë presionin ndaj Kubës. Përveç kësaj, administrata Trump do të bëjë të ditur të mërkurën se do të lejojë për herë të parë që në Shtetet e Bashkuara të ngrihen padi kundër të gjitha kompanive të huaja në Kubë, të cilat përdorin pronat e konfiskuara nga qytetarët amerikanë në vitet 1960 prej qeverisë së udhëhequr nga Fidel Castro. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb