Shtetet e Bashkuara po zbatojnë masa të reja të ashpra për të goditur Kubën dhe për të dekurajuar mbështetjen e saj për Presidentin e Venezuelës, Nicholas Maduro. Në një ndryshim të madh politikash, administrata e Presidentit Trump u lejon shtetasve amerikanë të padisin kompanitë e huaja dhe individët që përdorin pronat në Kubë, të cilat u janë konfiskuar dekada më parë nga qeveria komuniste e udhëheqësit të atëhershëm kuban, Fidel Castro. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Departmentin e Shtetit, Cindy Saine sjellë hollësitë.

Me përkeqësimin e gjendjes në Venezuelë, ndërsa kriza politike atje po vazhdon, këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton njoftoi të mërkurën sanksione të reja të ashpra mbi këtë vend dhe aleatët e tij, Kubën dhe Nikaraguan.

Në një fjalim në Miami, Bolton kritikoi ashpër ish-Presidentin Barak Obama për hapjen me Kubën, duke thënë se Havana po ndihmon qeverinë e Maduros të qëndrojë në pushtet.

“Për të justifikuar politikën e tij për normalizimin e marrëdhënieve me Kubën, Presidenti Obama tha se Kuba “nuk paraqet asnjë kërcënim të vërtetë”. Pyesni diplomatët amerikanë të cilët u sulmuan në Havanë dhe banorët e terrorizuar të Venezuelës”, tha John Bolton, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Më parë, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo njoftoi se administrata Trump do të fillonte zbatimin e një dispozite të një ligji të vitit 1996 që lejon shtetasit amerikanë që kanë prona të cilat u janë konfiskuar në Kubë gjatë Luftës së Ftohtë për të ngritur padi. Deri më tani, kjo dispozitë, e quajtur Titulli III, ishte pezulluar nga presidentët e mëparshëm.

“Politika e uljes së tensioneve me regjimin ka dështuar. Miqësia me diktatorët kubanezë do të jetë gjithmonë një shenjë e zezë në historinë e gjatë të këtij vendi të madh në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Për këto arsye, unë jam duke njoftuar se administrata Trump nuk do të pezullojë Titullin III. Duke filluar më 2 maj, e drejta për të ngritur padi në bazë të Titullit III të Aktit Libertad do të zbatohet plotësisht. Unë tashmë e kam informuar Kongresin për vendimin tim”, tha Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Vendet evropiane kundërshtojnë fuqimisht lejimin e padive kundër kompanive të huaja që bëjnë biznes me Kubën dhe po kërcënojnë të sfidojnë masën tek Organizata Botërore e Tregtisë.

“Këtu në Kubë jemi të vetëdijshëm se transaksionet financiare po bëhen gjithnjë e më të vështira, që është synimi e këtyre masave. Ato kanë për qëllim të dekurajojnë bizneset nga invesimi në Kubë dhe t’i shtyjnë ato të investojnë parat e tyre në Punta Cana, Panama ose Kankun”, thotë Alberto Navarro, Ambasador i BE-së në Kubë

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi gjithashtu ndryshime për të kufizuar udhëtimet jo-familjare nga Shtetet e Bashkuara në Kubë, duke e quajtur atë turizëm të fshehtë.

Bolton tha se qëllimi i kësaj politike është që të lëvizë dollarët amerikanë larg regjimit kuban, shërbimeve të tij ushtarake dhe atyre të sigurisë. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë vendosur sanksione ndaj Bankës Qendrore të Venezuelës dhe drejtorit të saj, si dhe ndaj qeverisë Ortega në Nikaragua./VOA

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: