Shtetet e Bashkuara kanë nisur një valë vendimtare dhe të fuqishme sulmesh ajrore ndaj rebelëve Houthi në Jemen, ka thënë presidenti Donald Trump, duke cituar sulmet e grupit ndaj anijeve në Detin e Kuq si arsye.

“Të financuar nga Irani, Houthi kanë qëlluar raketa ndaj avionëve të SHBA dhe kanë goditur trupat dhe aleatët tanë,” ka thënë Trump në rrjetet sociale, duke shtuar se “pirateria, dhuna dhe terrorizmi” i tyre kanë shkaktuar “miliarda” dollarë humbje dhe kanë rrezikuar jetën e njerëzve.

Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga Houthi ka thënë se të paktën 31 persona janë vrarë dhe 101 të tjerë janë plagosur nga sulmet. Grupi më vonë tha se do të vazhdojë të synojë transportin detar në Detin e Kuq deri sa Izraeli të heqë bllokadën ndaj Gazës, dhe se forcat e tij do të përgjigjen ndaj sulmeve.

Houthit raportuan disa shpërthime të shtunën në mbrëmje në kryeqytetin Sanaa dhe në provincën veriore Saada – bastioni i rebelëve pranë kufirit me Arabinë Saudite. Grupi i mbështetur nga Irani, i cili e konsideron Izraelin armik, kontrollon Sanaan dhe veriperëndimin e Jemenit.

Në një deklaratë, Houthit fajësuan SHBA-në dhe Britaninë e Madhe për “agresionin e keq” që ka synuar zona të banuara në Sanaa. Britania e Madhe nuk mori pjesë në sulmet ajrore të SHBA-së të shtunën kundër objektivave të Houthi, por ofroi mbështetje të zakonshme për furnizimin me karburant për SHBA-në. Houthit kanë thënë se veprimet e tyre janë në mbështetje të palestinezëve në luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, dhe kanë pretenduar – shpesh gabimisht – se po synojnë vetëm anijet që kanë lidhje me Izraelin, SHBA-në ose Britaninë e Madhe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: