Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar dhe nxjerrë jashtë funksionimit një rrjet të automatizuar të piratëve kibernetikë të drejtuar nga Kina. Hakerët synonin të infiltronin më tej infrastrukturën amerikane, si dhe pajisje të shumëllojshme të lidhura në internet.

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray njoftoi çaktivizimin e rrjetit, që ai e quajti “Flax Typhoon”, gjatë një takimi për kibernetikën të mbajtur të mërkurën në Uashington. Ai tha se rrjeti ishte pjesë e një fushate më të gjerë të drejtuar nga Pekini, shkruan VOA.

“Grupi ‘Flax Typhoon’ ndërhynte tek pajisjet e lidhura në internet, si kamerat, regjistruesit e videove dhe pajisjet e ruajtjes së të dhënave, të cilat janë normalisht të pranishme në organizatat e mëdha dhe të vogla”, tha zoti Wray. “Dhe gati gjysma e këtyre pajisjeve gjendeshin brenda territorit të Shteteve të Bashkuara”.

Zoti Wray tha se hakerët vepronin të kamufluar si një kompani e sigurisë së informacionit, të emërtuar “Integrity Technology Group”. Ata mblidhnin të dhëna nga korporatat, organizatat e mediave, universitetet dhe agjencitë qeveritare.

“Ata përdornin pajisjet e lidhura në internet – këtë radhë qindra mijëra të tilla – për të krijuar një rrjet të automatizuar që i ndihmonte të kompromentonin sistemet dhe të merrnin të dhëna konfidenciale”, tha ai.

Por operacionet e grupit ‘Flax Typhoon’ u ndërprenë javën e kaluar kur FBI-ja, në bashkëpunim me aleatët dhe bazuar në urdhrat e gjykatës, mori nën kontroll rrjetin e automatizuar dhe u përball me hakerët kur ata u përpoqën të kalonin tek një sistem rezervë.

“Mendojmë se më në fund keqbërësit e kuptuan se po përballeshin me FBI-në dhe partnerët tanë”, tha zoti Wray. “Kur e kuptuan këtë, shkatërruan infrastrukturën e tyre të re dhe e braktisën rrjetin e automatizuar”.

Zoti Wray tha se grupi ‘Flax Typhoon’ duket se përmirësoi taktikat e përdorura më parë nga një tjetër grup i lidhur me Kinën, i njohur me emërtimin ‘Volt Typhoon’, i cili u identifikua nga kompania Microsoft në majin e vitit të kaluar.

‘Volt Typhoon’ përdori pajisjet e zyrave, përfshirë pajisjet për lidhjen me internetin, ato për sigurinë kibernetike dhe rrjetet private virtuale për nagivimin në internet (VPN), me qëllim infiltrimin dhe ndërprerjen e funksionimit të infrastrukturës së komunikimit në Guam, ku ndodhen disa objekte ushtarake amerikane.

Ambasada kineze në Uashington refuzoi të mërkurën akuzat e qeverisë amerikane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: