Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump njoftoi sot se ka zgjedhur Jared Isaacman, një kohë të gjatë partner i Elon Musk dhe kompanisë hapësinore SpaceX, si kreun e ri të NASA. Isaacman është CEO i kompanisë së menaxhimit të pagesave Shift4 Payments dhe kreu i Polaris, një program për dërgimin e astronautëve privatë në orbitën e Tokës në anijen kozmike SpaceX.

“Jared (…) do të hapë rrugën për arritje novatore në shkencë, teknologji dhe eksplorimin e hapësirës,” tha Trump.

Nëse miratohet, Isaacman do të drejtojë një agjenci me një buxhet 25 miliardë dollarë, qëllimi i të cilit është të përsërisë misionet e drejtuara në Hënë, me programin Artemis, të cilin Trump e promovoi gjatë mandatit të tij të parë. Ky program do të mbështetet shumë në anijen Starship të SpaceX.

Presidenti Trump njoftoi gjithashtu se ka zgjedhur Peter Navarro si këshilltarin e tij për tregti dhe prodhimin.

Navarro ishte drejtor i Këshillit Kombëtar të Tregtisë gjatë mandatit të parë të Trump. “Në mandatin tim të parë, pak kanë qenë më efektivë ose më të palëkundur se Peter në zbatimin e dy rregullave të mia të shenjta: blej (produkte) amerikane, punëso amerikanë”, tha presidenti i zgjedhur në një postim në Truth Social.

Navarro u dënua janarin e kaluar me katër muaj burg për shpërfillje të Kongresit për injorimin e një thirrjeje që mori nga komiteti që hetonte sulmin nga mbështetësit e Trump në Capitol Hill më 6 janar 2021.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: