Një ditë pasi Uashingtoni tha se 3,000 trupa të Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi, Pentagoni kritikoi presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se vendimi tregon “dëshpërimin” e tij.
“Rusia ka mbi 500,000 viktima në fushën e betejës, në Ukrainë. Kjo me të vërtetë nënvizon dëshpërimin e Putinit, sepse ai ka dështuar të përmbushë objektivat e tij strategjike në fushën e betejës”, thotë zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh.
Dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma, miratoi marrëveshjen e “partneritetit gjithëpërfshirës strategjik” që presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un gjatë një vizite në Phenian, në qershor. Dhoma e sipërme pritet ta miratojë marrëveshjen së shpejti.
Presidenti Putin tha të premten se i takon Moskës dhe Phenianit të vendosin nëse do të përdorin trupat e Koresë së Veriut në fushën e betejës. Ai theksoi se nëse Ukraina dëshiron të anëtarësohet në NATO, atëherë Moska ka të drejtë të ndërmarrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë e saj.
“Po zhvillojmë bisedime me miqtë tanë koreano-veriorë me të cilët kemi qëndrim të njëjtë. Është vendimi ynë sovran nëse do të përdorim trupat koreano-veriore apo jo, ku dhe si. Ndoshta bëjmë vetëm disa stërvitje ushtarake, shkëmbim përvojash… Na takon neve se çfarë bëjmë”, thotë Presidenti Putin.
Sipas marrëveshjes, Rusia dhe Koreja e Veriut duhet që të ofrojnë menjëherë ndihmë ushtarake reciproke duke përdorur “të gjitha mjetet” nëse njëra prej tyre sulmohet. Kjo është marrëveshja më e rëndësishme midis Moskës dhe Phenianit, që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Shërbimi i zbulimit ushtarak të Ukrainës tha se njësitë e para të Koresë së Veriut të trajnuara në Rusi ishin vendosur në rajonin Kursk, një zonë kufitare ruse pjesë të së cilës u morën nga forcat ukrainase në muajin gusht.