Shtetet e Bashkuara ndryshuan pozicionin e tyre ndaj vendbanimeve hebraike që ka ndërtuar Izraeli në Bregun Perëndimor, duke mos i parë më ato si shkelje e ligjit ndërkombëtar. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se statusi i Bregut Perëndimor duhet të negociohet nga Izraeli dhe palestinezët.

“Duke e quajtur ngritjen e vendbanimeve civile si diçka në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, kjo nuk e ka çuar përpara çështjen e paqes. E vërteta e ashpër është se kurrë nuk do të ketë një zgjidhje gjyqësore të konfliktit, dhe argumentet se kush ka të drejtë dhe kush jo, si çështje e së drejtës ndërkombëtare, nuk do të sjellin paqe,”

Zëdhënësi i Presidentit Palestinez Mahmoud Abbas, Nabil Abu Rdeneh, e dënoi njoftimin e zotit Pompeo dhe tha se vendbanimet hebraike janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. “Administrata e SHBA ka humbur besueshmërinë për të luajtur ndonjë rol të ardhshëm në procesin e paqes,” tha ai.

Vendbanimet janë komunitete të krijuara nga Izraeli në tokën e pushtuar gjatë luftës së vitit 1967 në Lindjen e Mesme.

Ato kanë qenë prej kohësh burim i mosmarrëveshjeve midis Izraelit dhe palestinezëve, por edhe Izraelit dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Vendbanimet konsiderohen të paligjshme me ligjin ndërkombëtar, edhe pse Izraeli e kundërshton këtë.
Vendimi i ri i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, është përmbysje e politikës që ka ndjekur paraardhësi i tij, Barack Obama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: