Uashington


Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë Uber, Dara Khosrowshahi, ka shprehur keqardhje që vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, e quajti si një “gabim” nga qeveria saudite.


Në një intervistë për uebfaqen e lajmeve Axios, Khosrowshahi tha se, “Mendoj se qeveria (saudite) tha se ata kanë bërë një gabim”.


Vërejtjet e tij për vrasjen e Khashoggit erdhën pasi u pyet për komentet e tij lidhur me drejtorin e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite, Yasir Al-Rumayyan, i cili është anëtar i bordit të drejtorëve të kompanisë. Fondi i pasurisë sovrane është investitori i pestë më i madh i kompanisë Uber.

“Dëgjoni, është një gabim serioz. Edhe ne gjithashtu kemi bërë gabime”, tha Khosrowshahi atëherë dhe krahasoi vrasjen e tmerrshme të Khashoggit me aksidentin fatal të makinës pa shofer të kompanisë në muajin mars të vitit 2018.

Testimi i makinës pa shofer nga kompania Uber goditi dhe vrau një këmbësore në një aksident në Tempe të Arizonas.

“Ne ndaluam ngarjen dhe po shërohemi nga ai gabim. Kështu që, mendoj se njerëzit bëjnë gabime dhe nuk do të thotë se ata kurrë nuk mund të falen. Mendoj se ata e kanë marrë seriozisht”, tha Khosrowshahi.

Axios tha se Khosrowshahi më vonë u thirr për të shprehur keqardhjen e tij për komentet që përshkruan vdekjen e gazetarit dhe ai dërgoi një deklaratë.

“Unë në atë moment thashë diçka që nuk e besoj. Kur bëhet fjalë për Jamal Khashoggin, vrasja e tij nuk duhet të harrohet apo të falet”, thuhet në deklaratën e raportuar nga uefaqja e lajmeve Axios.

Më 2 tetor të vitit 2018, një skuadër saudite vrau dhe gjymtoi Khashoggin në konsullatën saudite në Stamboll. Trupi i tij nuk u gjet kurrë.

Në një raport në muajin maj, raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB), Agnes Callamard, konkludoi se vrasja e Khashoggit ishte “ekzekutim i qëllimshëm, me paramentim” dhe bëri thirrje për hetim të Princit të Kurorës Saudite, Mohammad bin Salman.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb