NGA AURORA KOROMANI*

TIRANË- “Ndalimi im ishte një veprim emocional i Policisë së Shtetit”. Kështu e ka cilësuar prangosjen e tij, ish-shefi i zyrës së INTERPOL Tirana, Artan Bajraktari. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, ish-zyrtari shprehet se e gjithë kjo ngjarje nuk ka asnjë ndikim për atë. “E gjitha kjo ngjarje, ndalimi im, për mua pati efekt të tillë, sa 2 kokrriza rëre. Mund të them se ndalimi im ishte një veprim emocional, një veprim i shpejtë i Policisë së Shtetit”, pohon Bajraktari. Ai u ndalua pak ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi dyshohej se kishte vonuar “urdhër-arrestin” e deputetit Mark Frroku.
LIDHJA ME EPRORET
Ish-kreu i zyrës së INTERPOL-it nuk ka komentuar shumë gjatë në lidhje me ndalimin e tij dhe ai të gjitha pyetjeve iu është përgjigjur shkurt. Bajraktari i është shmangur pyetjes nëse ai për kërkesën për arrestin ndërkombëtar të deputetit kristiandemokrat, Mark Frroku ka vënë në dijeni apo jo eprorët e tij. “Ju a keni vepruar sipas procedurave ligjore? Pra, a i keni lajmëruar në kohë eprorët tuaj për kërkesën për arrestim?”, -është pyetja që iu bë Bajraktarit. Dhe ai u përgjigj: “A kam vepruar sipas ligjit? Është shumë herët që të flas, sapo është dhënë vendimi i gjykatës dhe unë dua kohë që ta mbledh veten”, dhe më tej nga shprehjet dykuptimëshe që ai tha, la të kuptohej qartë se jo vetëm kolegët e tij kishin gabuar që e kishin vënë në pranga, pasi ai në asnjë moment nuk kishte vepruar në kundërshtim me ligjin, por edhe se ai e kishte vënë në dijeni ish-kreun e Policisë së Shtetit, Artan Didi. Më pas ish-kreu i INTERPOL Tirana është shprehur se nuk do që të flasë më gjatë për këtë çështje dhe se çdo shpjegim e ka dhënë në seancën e gjyqit. Konkretisht, para trupit gjykues mbrojtësi ligjor i Bajraktarit shpjegoi se çfarë kishte ndodhur konkretisht, pasi ish-shefi i zyrës së INTERPOL-it kishte marrë kërkesën nga Belgjika për arrestimin e deputetit Frroku. Sipas shpjegimit të avokatit mbrojtës, shkresa për arrestimin e deputetit ka mbërritur në zyrat e INTERPOL-it në datën 18 mars dhe menjëherë pas kësaj, Bajraktari e ka përcjellë tek vartësit me shënimin “të veprohet”. Sipas shpjegimeve që ai ka dhënë, rezulton se në dijeni për këto veprime ka qenë edhe ish-kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Ky i fundit, i kontaktuar pak ditë më parë nga ‘GSH’ për faktin nëse ishte lajmëruar me e-mail nga vartësit e tij për çështjen e arrestimit të deputetit Frroku, u përgjigj: “Nuk kishte se përse me njoftonte mua me e-mail. Në momentin që të dhënat vijnë, ato hidhen në sistem dhe lajmërohet prokuroria”. Didi në një letër drejtuar kryeministrit të vendit dhe ministrit të Brendshëm argumentonte se po e jepte dorëheqjen pikërisht për fshehjen e të dhënave nga ana e zyrës së INTERPOL-it.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: