Hiroto Saikawa, shef ekzekutiv i prodhuesit të makinave Nissan, do të japë dorëheqje javën e ardhshme, për shkak të një skandali me paga.


Njoftimi u bë të hënën pas takimit të bordit të Nissanit.


Saikawa ka qenë nën presion, pasi ka thënë se ka qenë tejet i paguar, në kuadër të një skeme bonusesh.


Edhe pse thuhet se ka përfituar qindra-mijëra dollarë, ai ka mohuar çdo keqbërje.

Kryetari i bordit, Yasushi Kimura, u tha gazetarëve se Saikawa do të largohet më 16 shtator.

“Pas diskutimeve të bordit, bordi i ka kërkuar Saikawas të japë dorëheqje nga pozita e shefit ekzekutiv. Saikawa e ka pranuar këtë”, tha Kimura.

Këto janë telashet e fundit që përfshijnë prodhuesin japonez të makinave.

Në nëntor është arrestuar ish-udhëheqësi i kompanisë, Carlos Ghosn.

Ghosn, arkitekt i aleancës Renault-Nissan, përballet me akuza për sjellje të keqe financiare dhe shkelje të besimit.

Ai mohon çdo keqbërje dhe ka thënë se arrestimi i tij në Japoni ka qenë rezultat i një “komploti dhe tradhtie” kundër tij.

Saga ka hedhur dyshime mbi të ardhmen e aleancës Renault-Nissan dhe perspektivën e kompanisë.