Shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo, raportoi në Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, mbi aktivitetin e institucionit gjatë vitit 2021.
Në raportimin e tij, Drejtori Bendo theksoi se, referuar Strategjisë së Zhvillimit 2020- 2023 dhe Strategjisë së Burimeve Njerëzore 2020-2023, SHISH ka realizuar procesin e rekrutimit të kandidatëve të rinj, duke përzgjedhur e diplomuar punonjës të rinj, me shkollim shumë të mirë, që ndoqën me sukses edhe kursin bazë të përgatitjes profesionale të linjës informativo-operative.
Drejtori Bendo nënvizoi se, “SHISH ka përmbushur detyrat ligjore, ka vijuar me konsolidimin e strukturës së re, ka rritur dinamizmin dhe cilësinë e informimit për autoritetet e larta shtetërore dhe ka rritur shkëmbimin e informacionit me agjencitë ligjzbatuese në nivel qendror e vendor për kundërvënie konkrete e domethënëse.
Gjithashtu ka vijuar dhe zgjeruar bashkëpunimin me shërbimet partnere, sipas niveleve dhe fushave të miratuara”. Bendo theksoi se, Shërbimi i kundërvihet veprimtarisë dhe aktiviteteve informative, të drejtuara nga shërbime informative e të sigurisë të shteteve jo-mike, kundër interesave të Shqipërisë e NATO-s.
Ndër të tjera , në fjalën e tij, Drejtori i SHISH-it theksoi: “Veprimtaria e shteteve/shërbimeve të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve të inteligjencës me ato të natyrës hibride, si aktivitete influencuese malinje, propagandë e dizinformacion, narrativa përçarëse e me ndikim në perceptimin publik.
Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre. Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, konvencionale (klasike) dhe jo[1]konvencionale që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”.
Lidhur me situatën në rajon gjatë vitit 2021, Drejtori i SHISH-it nënvizoi: “Situata në rajon është karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, të cilat kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete. Mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar, me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit”.
Drejtori i SHISH-it, z. Helidon Bendo, nënvizoi se, në vizionin e Shërbimit për të ardhmen, fokusi ka qenë dhe do të jetë forcimi i kapaciteteve operacionale dhe kibernetike, për kundërvënien ndaj aktiviteteve të jashtëligjshme që kërcënojnë sigurinë kombëtare. Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe analitike ndaj kërcënimeve kibernetike është kryer duke ndjekur në dinamikë situata mbi kërcënime ndaj infrastrukturave publike dhe private të RSH, duke arritur të identifikojë targetin e kërcënimit, llojin dhe natyrën e sulmit.
Në raportimin para Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Drejtori i SHISH-it, z. Helidon Bendo, vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me SPAK, PP, prokuroritë e rretheve, Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera.