TIRANE – Shega është një pemë mesdhetare, zakonisht si shkurre deri në pesë-gjashtë metra e lartë, me degë me gjemba, me gjethe vezake, me lule të kuqe si gjak, që bën kokrra të rrumbullakëta e të mëdha, me lëkurë të trashë dhe brenda me shumë fara të kuqe, me lëng, të ëmbla a majhoshe; kokrra e këtij druri me farat, të cilat hahen kur piqen. Pjesë të ndryshme të kësaj peme dhe frutit përdoren për të prodhuar ilaçe. Fruti i shegës përdoret për një sërë gjendjesh shëndetësore, edhe pse deri tani nuk ka mjaftueshëm të dhëna shkencore që vërtetojnë efikasitetin e tyre në kurimin e këtyre sëmundjeve. Gjithsesi, shega është përdorur për gjendje që lidhen me zemrën dhe enët e gjakut, si tensioni i lartë i gjakut, problemet me zemrën, forcimi i arterieve (arteroskleroza) dhe kolesteroli i lartë. Ky frut është përdorur gjithashtu për probleme me traktin digjestiv, si diarreja, dizenteria, shiriti dhe parazitë të tjerë intestinalë. Disa njerëz e përdorin shegën në rast gripi, ënjtje të pjesës rrethuese të gojës (stomatiti), sëmundja e mishrave të dhëmbëve, disfunksioni erektil, diabeti, gjakderdhja etj. Shega është përdorur edhe për të parandaluar kancerin e prostatës, obezitetin dhe për të rënë në peshë shkruan Shëndeti.
Lëngu i saj është përdorur edhe si gargare për dhimbje fyti, ndërsa mund aplikohet edhe në lëkurë për të trajtuar hemorroidet. Shega është përdorur për shekuj me radhë për trajtimin e një sërë sëmundjesh. Është përmendur në disa vepra dhe mitologji greke, herreje, budiste, islamike dhe krishtere. Ka shkrime ku vërtetohet se përdorimi i saj daton që në vitet 1500 para lindjes së Krishtit, ku është përdorur si trajtim për shiritin dhe parazitë të tjerë. Shumë kultura e përdorin shegën si mjekësi popullore. Ajo është kultivuar për herë të parë në vendet mesdhetare, dhe më pas është përhapur edhe në SHBA, Indi, Rusi, Kinë dhe Japoni. Shega është një burim i mirë i antioksiduesve, si polifenolët (tanina dhe antocianina). Madje thuhet se shega mund të ketë fuqi antioksiduese më të madhe se lëngu i boronicës ose çaji jeshil.
Si funksionon?
Shega përmban një sërë përbërësish që kanë efekte antioksiduese. Disa studime të kahershme sugjerojnë se këta përbërës tek lëngu i shegës mund të ngadalësojnë progresin e arterosklerozës (forcimit të arterieve) dhe mund të luftojë edhe qelizat kancerogjene.
Antioksiduesit mund të ndihmojnë në parandalimin dhe riparimin e ADN-së së dëmtuar që çon në zhvillimin e kancerit. Nuk dihet akoma nëse shega i ka këto efekte kur konsumohet si lëng.
Përdorimet
Të dhëna të pamjaftueshme për:
Forcimin e arterieve (arteroskleroza): Studime të kahershme sugjerojnë se konsumimi i lëngut të shegës mund të ndalojë formimin e depozitave dhjamore në arteriet në qafë (enët karotide).
Bllokimin e arterieve (sëmundja koronare e zemrës): Disa studime të kahershme tregojnë se konsumimi i lëngut të shegës mund të përmirësojë qarkullimin e gjakut në zemër. Megjithatë, lëngu i shegës nuk duket të parandalojë ngushtimin e enëve të gjakut në zemër
(stenoza). Gjithashtu, nuk ka mjaftueshëm informacione nëse konsumimi i lëngut të shegës parandalon gjendjet e lidhura me sëmundjet e zemrës, si ataku në zemër.
Pllakë bakteriale në dhëmbë: Studime të kahershme sugjerojnë se larja e dhëmbëve me larës goje që përmban ekstrakt të shegës për një minutë 1 ose dy herë në ditë ndihmon për të minimizuar formimin e pllakës bakteriale në dhëmbë.
Disfunksioni erektil: Studime të kahershme tregojnë se konsumimi i lëngut të shegës çdo ditë për 4 javë nuk përmirëson disfunksionin erektim tek burrat.
Dhimbja e muskujve pas stërvitjes: Studime të kahershme sugjerojnë se konsumimi i lëngut të shegës dy herë në ditë për 15 ditë ndihmon për të lehtësuar dhimbjet e muskujve pas stërvitjes.
Kolesteroli i lartë (hiperlipidemia): Disa studime tregojnë se lëngu i shegës mund të ulë nivelet e kolesterolit në total, sidomos ato të kolesterolit të “keq” (LDL). Ndërsa studime të tjera nuk kanë gjetur ndonjë përfitim në këtë pjesë. Gjithsesi, është e sigurt që vaji i farave të shegës, dhe jo lëngu i shegës, mund të përmirësojë nivelet e triglicerideve dhe të kolesterolit të “mirë” (HDL).
Tensioni i lartë i gjakut (hipertension): Disa studime sugjerojnë se konsumimi i 50-200 ml lëng shege çdo ditë për më shumë se një vit mund të ndihmojë në uljen e presionit sistolik nga 5% deri në 21%. Gjithashtu, disa studime tregojnë se konsumimi i kësaj sasie të lëngut të shegës mund të ulë presionin diastolik, edhe pse disa studime të tjera nuk tregojnë ndonjë përfitim nga kjo anë.
Sindroma metabolike: Studime të kahershme sugjerojnë se konsumimi i lëngut të shegës çdo ditë për një muaj përmirëson funksionin e enëve të gjakut tek adoleshentët që vuajnë nga sindroma metabolike.
Forcim të muskujve: Studime të kahershme sugjerojnë se marrja e një ekstrakti të veçantë të shegës dy herë në ditë ndihmon në forcimin e muskujve.
Obezitet: Studimet kanë treguar se marrja një produkti të veçantë që përmban vaj të farave të shegës ndihmon për t’u dobësuar.
Sëmundja e mishrave të dhëmbëve: Ka të dhëna që tregojnë se lyerja e mishrave të dhëmbëve me një ekstrakt nga lëkura shegës mund të shërojë sëmundjet e mishrave të dhëmbëve.
Kanceri i prostatës: Studime të kahershme sugjerojnë se konsumimi i lëngut të shegës çdo ditë për 2 vite mund të ngadalësojë progresin e kancerit të prostatës.
Plagë në gojë (stomatit): Duke aplikuar tek mishrat e dhëmbëve një xhel që përmban ekstrakt të shegës, ndihmon për të lehtësuar simptomat e infeksioneve në gojë.
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme, të quajtura trikomoniaza. Studime të kahershme sugjerojnë se marrja e një ekstrakti të shegës mund të ndihmojë në parandalimin dhe kurimin e infeksioneve trikomoniaza tek gratë.
Infeksionet parazitare intestinale
Diarre
Dizenteri
Dhimbje të fytit
Hemorroide
Simptoma të menopauzës
Gjendje të tjera
Duhet të bëhen më shumë kërkime shkencore për të përcaktuar efikasiten e shegës në këto përdorime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: