SHKODER

“Sheh diçka, thuaj diçka”  është nisma që Prefektura e Shkodrës, e drejtuar nga Valdrin Pjetri,  ka ndërmarrë me qëllim luftën ndaj krimit.

I pranishëm në aktivitet kreu i policisë së shtetit, Ardi Veliu apeloi që kjo iniciativë të mbështetet nga të gjithë, ndërsa theksoi se policia është në luftë të pandërprerë me krimin.

“Indiferentizmi nuk është mënyra e duhur dhe aq më pak heshtja kur përballemi me krimin.  Siguria është një kontribut i secilit prej nesh. Jemi qytetarë të këtij vendi, dhe kemi përgjegjësinë e sigurisë të personit krah nesh e përballë nesh.

Ndihmo dhe përcilli informacionet Policisë, sepse në këtë mënyrë ne vijmë pranë jush më shpejt dhe parandalojmë pasojat, të cilat mund të kenë pasur një drejtim fatal.  Tërheqja dhe mospërfshirja është mënyra me e thjeshtë, por pa dyshim, është mënyra më e pasigurtë.” u shpreh Veliu në fjalën e tij, ndërsa apeloi qytetarët të denoncojnë në numrin 112 për cdo rast të paligjshmërisë, duke garantuar nga ana tjetër reagim të menjëhershëm të policisë së shtetit.

Ndërsa, prefekti i Shkodrës Valdrin Pjetri tha se pavarësisht shpresës së vrarë nga ngjarjet e rënda kriminale, lufta kundër krimit fitohet duke u bërë të gjithë bashkë.

“Krimi jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën nuk ka ngjyrë, nuk ka fe, nuk ka politikë. Krimi ka vetëm një qëllim: Të vrasë shpresën. Ndaj këtu ne sot jemi të gjithë brezi i ri, përfaqësues të kulteve fetare, qytetarë, punonjës të policisë, për të bërë një luftë kundër krimit të organizuar. Denonconi çdo paligjshmëri. Ju siguroj se do iu ruhet anonimati. Denonconi edhe ato që nuk bëjnë detyrën në Policinë e Shtetit”, deklaroi Pjetri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb