Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, si dhe rolin e partive të reja që do të konkurojnë në këto zgjedhje.
Në zgjedhjet e ardhshme për herë të parë do t’i jepet mundësia diasporës që të votojë në zgjedhje, ndërsa spektri opozitar ende nuk ka mundur të bashkohet kundrejt një mazhorance që do të garojë për mandatin e 4 qeveritar.
Partitë e reja apo ato të vogla, që mund të dalin të vetme në zgjedhje, mund të konsiderohen si opozita e opozitës, të paktën nga përfaqësues të PD-së. Po sa mund të ndikojë dalja të vetme në zgjedhje të partive të reja dhe atyre që konsiderohen si të vogla në raport me fragmentarizimin e votës?
Deputeti Agron Shehaj nga partia Mundësia shprehet se nuk ka dëgjuar nga asnjë prej drejtuesve të PD që forca e tij politike të jetë opozitë e opozitës.
Shehaj tha se do të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se Shqipërisë nuk i vjen asnjë e keqe nga partitë e reja.
“Do të shqetësohesha nëse nuk do të krijoheshin parti të reja. Jemi në një situatë ku një pjesë e elektoratit nuk ka besim te partitë e vjetra. PD e vuan më shumë se është në opozitë, ndërsa PS e vuan më pak, pasi duke qenë në pushtet i ka mundësitë t’I mbajë më afër të pakënaqurit”, tha Shehaj.
Ai theksoi se Edi Rama ka futur dhe po fut duart në partitë e reja, duke tentuar të drejtojë garën edhe te këto parti.
Shehaj tha se votuesit duhet të jenë të vëmendshëm për të parë se kush janë këto parti të reja që shërbejnë si instrumenta të Edi Ramës.
“Do të ishte naive të mendonim se kjo nuk do të ndodhte dhe nuk po ndodh. Si mundet partitë politike të bëjnë fushata që kushtojnë miliona euro dhe të mos bëjnë transparencë mbi fondet? Në takimin e Durrësit ne harxhuam 10 mijë euro, por nëse bën 100 takime, ja ku u bënë miliona euro”, tha Shehaj.
Ai përmendi parti që po bëjnë takime jashtë vendit, por nuk përmendi emrin e ndonjë subjekti politik që mund të jetë instrument në duart e Ramës.
Por, Endri Shabani nga Nisma Thurje tha se nëse dikush ka informacione se x parti apo y politikan mbështetet nga Edi Rama, atëherë duhet ta bëjë publike se kush janë. “Thuaj se kush janë këto parti, ndaj jemi parti të reja që t’i themi gjërat hapur”, tha Shabani.
Ai tha se do të garojë me të gjitha forcat e reja që duan të bëhemi bashkë në zgjedhjet e ardhshme. “Kemi përballë një klasë politike që është e vështirë ta mundësh”, tha Shabani. Ai tha se duhet krijuar një koalicion sa më i gjerë.