TIRANË

Në kuadër të aktivitetit “DITËT E KUJTESËS”, Fondacioni KUJTO, në bashkëpunim me KAS Albania, organizuan një tryezë diskutimi me studentët e Historisë dhe shfaqjen e dokumentarit ”Mall për me këndue”.

Synimi kryesor i këtij eventi është ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimi i dialogut mbi të shkuarën.

Në panelin e diskutimit, Agron Shehaj, themelues i Fondacionit Kujto Albania dhe platformës online Kujto.al, shprehu shqetësimin se shoqëria shqipare nuk ka reflektuar mbi krimet e komunizmit.

“Në Shqipëri sa i takon periudhës komuniste dhe krimeve të komunizmit ka një rrëmujë të jashtëzakonshme. Nëqoftëse mendoni në një moment çfarë dëgjoni për atë periudhë? Flitet vetëm për dëmshpërblime, prona ose çështja përdoret politikisht. Çështja përkufizohet nëse ke qenë spiun apo jo? Ky është niveli praktikisht i trajtimit të çështjes. Unë mendoj se shoqëria shqiptare, ne si shoqëri duhet ta trajtojmë në mënyrë më të gjerë jo kaq personale. Duhet ta trajtojmë jo vetëm si çështje që i takon vetëm viktimave të kohës komuniste apo pasardhësve të tyre, kjo na përket të gjithëve. Fatkeqësisht prindërit tuaj, prindërit e mi, janë akoma pak komunist në shoqëri, në punën e përditshme. Unë e shoh edhe në politikë tek poshtërimi i kundërshtarit politik, te arroganca, fyerja, te mashtrimi. Janë të gjitha pasojat e atij regjimi.

Whatsapp Image 2019 02 26 At 16.12.54

Ai regjim kishte në thelb të gjithë këto gjëra që po flas. Nga ana tjetër, ka një rrëmujë të jashtëzakonshme siç ju e shikoni vetë. Unë pata rastin të shoh një libër të historisë së shkollave 9 -vjeçare edhe të mesme edhe nuk përmendej asgjëkundi dhe asnjë fjalë për krimet e regjimit komunist. Asnjë fjalë! Një gjë kaq e rëndësishme, asnjë fjalë! Ne sot shofim vazhdimisht filma me partizanë. Unë habitem që shoh akoma të rinj që kanë lindur pas viteve ‘90 edhe i njohin filmat me partizanë. Në këtë situatë, ajo çfarë mund të bënim ishte të vendosnim pak rregull. Fondacioni “Kujto Albania” synon sigurisht kujtesën e viktimave dhe krimeve gjatë regjimit komunistë dhe një nga inicativat kryesore është arkiva online e krimeve të komunizmit. Arkiva online është një përmbledhje, është një arkivë, një regjistër online me një listë me të gjitha emrat e personave që gjatë regjimit komunist kanë qenë të dënuar, kanë qenë të pushkatuar, të internuar, të dënuar me burg”, u shpreh Shehaj.

Në fjalën e tij, gjatë diskutimit me studentët e Historisë, ambasadori i KAS Albania Walter Glos, u shpreh se në kuadër të ditëve të kujtesës, kemi patur edhe shumë momente të tjera, ku duhet të reflektojmë pas gjithë atyre ngjarjeve që kanë ndodhur në të kaluarën komuniste.

“Natyrisht nuk është e thjeshtë të studiosh për të kaluarën, pra, në këtë kuptim kjo temë ngelet një temë e vështirë. Jam tepër i gëzuar që jam i pranishëm në këtë panel bashkë me zotin Agron Shehaj dhe do t’ju them dhe arsyen pse. Ai nuk është vetëm themelues i Fondacionit “Kujto Albania” , por është edhe anëtar i Parlamentit Shqiptar. Gjithmonë është treguar i gatshëm për të mbështetur Fondacionin “Konrad Adenauer” dhe të gjitha aktivitetet që kanë lidhje me trajtimin e së shkuarës. Kam dëgjuar në këtë periudhë të gjitha diskutimet, javën e kaluar në Shkodër, por edhe të premten në Gjirokastër se si ndihen dhe se si shprehen të gjithë të prekurit ose viktimat e kësaj periudhe komuniste për atë që nuk ka bërë politika në këto 30 vjet”, tha ndër të tjera Glos.

Kjo tryezë diskutimi u organizua me rastin e 28 vjetorit të rrëzimit të statujës së diktatorit, Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri.

Në panel folën dhe historiania Enriketa Papa dhe gazetarja Luljeta Progni, autore e dokumentarëve me histori njerëzore nga krimet e komunizmit, prodhuar nga Kujto.al.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb