Ish deputeti i Partisë Demokratike, ka publikuar dokumentat që dëshmojnë, se kompania A.N.K, që ka fituar koncesionin marramendës të rrugës “Milot-Balldre”, nuk plotëson kriteret financiare për të fituar këtë koncesion dhe se për rrjedhojë kontrata është e paligjshme.


“Kontrata që ka firmosur qeveria shqiptare, parashikon që fituesi të paguajë 52 milionë euro nga kapitali. Kjo kompani nuk ka 52 milionë euro, por më pak se katër milionë. Praktikisht, kompania ka shumë pak kapital për të investuar, edhe atë kapital që ka e ka në likuiditete. Kompania nuk plotëson kushtet minimale financiare.


Përse një kompani merr përsipër një rrugë ku duhet të investojë 140 milionë euro, kur nuk ka 52 milionë? Ka dy mundësi, ose nuk duhen këto para sepse kostot janë të fryra, ose ka ndërmend të përdorë para të pista. Unë mendoj se kostot janë të fryra dhe ato 52 milionë euro nuk i duhen kompanisë.


Skandali i vërtet, është që kompania jo vetëm nuk i ka ato 52 milionë euro, por shteti do ti japë edhe interesat, për paratë që nuk ka dhe nuk do ti investojë. Kjo është një vjedhje gjigande. Në këto kushte, minimalisht ministria duhet të verifikonte, nëse kompania ka apo jo 52 milionë euro.
Nga rasti i Unazës, ku dikush fitoi tender me dokumenta të falsifikuara, këtu kemi një rast që fitohet tenderi pa dokumenta fare. Në rastin e Orikum-Dukat, është një skandal, sepse gjurma e rrugës është pothuajse identike.

Zyrtarisht biznesmeni që ka fituar koncesionin “Milot-Balldre”, është Agim Kola. Flitet për një biznesmen të mesëm. Nuk e ka kapitalin për të ndërtuar rrugë.

Unë kam dyshime të forta që prapa këtij sipërmarrësit, mund të ketë persona të tjerë. Është e vështirë të zbulojmë kush është pas”.

  • foto galeri
  • foto galeri