Ish-deputeti i PD Dashamir Shehu i ftuar në emisionin “Të paekspozuarit” në “News 24” tha se protestat e opozitës janë për të tronditur sistemin tonë në fuqi, që sipas tij, është i kalbur. Shehi tha se opozita e ka nisur këtë protestë dhe se po ngre gurin, për të rrëzuar këtë sistem.

“Opozita është në rrugë sot për të tronditur sistemin aktual politik, që është i kalbur dhe besoj se në këtë pikë bien të gjithë dakord. Ne e kemi nisur këtë udhë dhe po ngremë një gur, për të goditur dhe pse jo për ta rrëzuar këtë sistem të korruptuar”, tha Shehi.

Dashamir Shehi shtoi se Rama nuk ka sot pushtet për të pasur vetëm tepsi, por ka gjithë shtetin dhe po e grabit.

“Rama nuk ka vetëm tepsi. Ai ka kapur shtetin dhe po e grabit. Opozita është aty për të qëndruar ndaj kësaj katrahure që po ndodh këtu. Këtu hyjnë njerëzit në politikë me lista. Duhet ndryshuar kodi zgjedhor, pasi kështu ata që vijnë pas kryetarit kthehen thjesht në servilë dhe nuk flasin dot. Duhet që mandatet e kryeministrit a kryetarit të bashkisë të limitohen se kështu do na rrinë gjithë jetën në pushtet këta. Të gjithë e dimë që nëse rri një njeri në pushtet shumë, sidomos në Ballkan, do marrë të afërmit, se ne jemi ballkanas, gjysmë-oriental. Duhet që ai që ka pushtet të mos bëje ndere më shumë nga se i ofron ligji, siç ndodh këtu”, deklaroi Dashamir Shehi.

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb