TIRANË

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu i pranishëm në rubrikën “Opinion” në News24 tha se vendi ndodhet përballë një “grushti shteti”, ndërsa hodhi akuza të forta në adresë të kryeministrit, Edi Rama.

Duke folur për rezistencën e opozitës dje në Shkodër për konstituimin e Këshillit të ri, Tritan Shehu tha se për të frenuar “grushtin e shtetit” duhet një reagim më i fortë prej qytetarëve.

“Situata është në një moment shumë të vështirë, jo vetëm në Shkodër. Unë e kam cilësuar si një grusht shteti në zhvillim. Kishim një farsë votimi, që nuk përfaqëson asgjë dhe ajo është nul. Kemi dy dekrete të Presidentit. Dekretet e Presidentit janë në fuqi. Kjo është e vërteta e Shkodrës dhe e gjithë Shqipërisë. Janë elementë që po e bëjnë më të rrezikshëm situatën. Opozita dhe PD ka protestuar për të ruajtur kushtetutshmërinë. E gjithë Shqipëria është një betejë e hapur.

Shkodra është një pjesë e betejës dhe kjo betejë po zhvillohet  për ligjshmërinë dhe në mbrojtje të demokracisë për t’iu përgjigjur grushtit të shtetit. Duhet qëndresë popullore për ta frenuar këtë revansh. Me këtë situatë vendi nuk do të hyjë në BE. Dje ajo e Shkodrës ishte një etapë në luftën e madhe që bën PD në ruajtjen e demokracisë. Etapa të tilla janë bërë edhe në rrethe të tjera. Nga ndërkombëtarët ka reagim. Unë mendoj se ndërkombëtarët janë të preokupuar, por më parë duhet të reagojnë shqiptarët. Duhet një lëvizje e madhe popullore dhe goditëse”-tha Shehu.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb