TIRANË

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka përkujtuar mendimtarin e madh shqiptar Arbën Xhaferi, i cili ndërroi jetë 7 vite më parë, duke lënë pas një krijimtari të pasur dhe kontribut të papërsëritshëm për kauzën dhe çështjen shqiptare. Me një shënim në “Facebook”, Shehu tregon kohën kur është njohur me Xhaferin me 11 shkurt 1994.

Statusi i Shehut:

Shtatë vite që u nda nga ne Arbën Xhaferi, miku im i afërt, mendimtari e politikani europeist e thellësisht Perëndimor.
Për herë të parë e takova atë pasditen e 11 shkurtit 1994 në Tetovë, një ditë para zhvillimit të Kongresit të Dytë të Partisë së Prosperitetit Demokratik, ku ai u zgjodh Kryetar i saj.
Zgjedhja e Arbënit më 12 shkurt, në atë ditë të ftohtë dimri aty, do të përbënte një nga sukseset më të mëdha të shqiptarëve në Maqedoninë e dikurshme.
Do të përbënte gjithashtu një vendim pozitiv për stabilitetin e te atij vendi e Rajonit në tërësi.
Unë jam i lumtur e krenar që sado pak ndihmova atëherë në atë përzgjedhje thelbësore, tejet të rëndësishme për zhvillimet e mëtejshme.
Ngelëm deri në fund miq e bashkëpunëtorë të afërt së bashku, duke u takuar për herë të fundit në Napoli, në një aktivitet të madh të Sant Egidio, në praninë e Papa Benedetto XVI. Boshllëku që la Arbëni është akoma real e i madh.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb