Politikani i djathtë Tritan Shehu është i bindur se Gjirokastra do t’i japë votat PD-së me 21 qershor, sepse koalicioni PS-LSI e ka shndërruar këtë vend në “Kabul” dhe PS-ja, duke ia lënë bashkinë LSI-së, i ka “larë duart me të”.

“Vizita e z.Rama dje aty, – shkruan Shehu sot në Fb, – transmetoi në tërësi, qartësisht, ndjesinë e humbjes të së majtës tashmë. Tërheqja e PS-së nga kandidatura për kryetar bashkie, lënia e saj LSI-së, që nuk përfaqëson asgjë në atë qytet, flet për “larje duarsh”.

Z.Rama theksoi se Gjirokastra është braktisur dhe harruar. Është e vërtetë që ai qytet i rrallë me vlera poliedrike është në buzë të “greminës”. Por duhet kujtuar se që prej 2000-it, ai qytetet po qeveriset ose me mirë, po shkatërrohet nga e majta, PS-ja dhe LSI-ja së bashku. Kjo duket qartësisht që kur i afrohesh atij qyteti simbol, që nga hyrja e tij, që i shembëllen më shumë Kabulit në luftë. Duket e ndjehet edhe kur ecën më lart në ato rrugë mijëravjeçare, por të rrënuara.

Realisht ndjenja e rrënimit dhe e pesimizmit ndjehej kudo në Gjirokastrën e keqqeverisur në këto vite, deri pak javë më parë, – thekson Shehu në përfundim. – Por sot aty ka filluar të mbizotërojë një optimizëm i ri, ai i ndryshimit të domosdoshëm dhe të pashmangshëm, i fitores së PD-së më 21 Qershor.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb