Pas akt-konstatimit të Institutit të Ndërtimit, i cili i shpalli të pabanueshme tre godinat në “Qytetin Studenti” si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, vijoi puna me shembjen e tyre. Familjet që i kishin zaptuar gjatë viteve të tranzicionit, janë sistemuar në banesa me bonus qiraje, si të gjitha familjet e tjera të prekura nga tërmeti.

Teksa ndoqi nga afër shembjen e godinave, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi të drejtë vendimin për t’i larguar banorët nga dhomat e ish-godinave të “Qytetit Studenti”, të cilat përbënin rrezik për jetën e tyre dhe sisteminin në banesa me bonus qiraje me kushte dinjitoze.

“Kanë qenë godina të zëna prej vitesh, që nga viti ‘90-‘91, kur filluan ndryshimet në “Qytetin Studenti”, pra një gangrenë që vazhdonte një kohë të gjatë. Godina ka pasur shumë ndërhyrje, improvizime. Ndaj, besoj ishte vendimi drejtë për t’i çmontuar vetë dhe besoj se ishte vendim akoma më i drejtë për t’í transferuar me qira të gjitha familjet, duke respektuar dinjitetin njerëzor, si të çdo anëtari tjetër të bashkësisë së Tiranës, që u trajtua me bonus qiraje për largimin nga ndërtesat e dëmtuara”, tha Veliaj.

Duke i falënderuar për bashkëpunimin, Veliaj nënvizoi se të gjitha ato familje që lanë godinat, të cilat i kishin uzurpuar gjatë viteve të tranzicionit kanë kushte shumë herë më të mira në banesat e tyre të reja. “Dua t’i falenderoj banorët për bashkëpunimin. Unë e kuptoj, asnjëherë nuk është e lehtë të largohesh nga një banesë ose vend-strehim, ku ke kaluar një pjesë të madhe të jetës tënde, megjithatë siç verifikuam, rasti i profesor Pëllumbit dhe shumë të tjerë, janë në kushte disa herë më të mira. Shtëpitë me qira në Tiranën urbane janë shumë herë më të mira se konvikte të amortizuara, ku në një dhomë të vogël jetonin 1-2 kurora, disa raste edhe tre kurora. Ndaj, për të gjitha këto arsye, 90% e familjarëve në “Qytetin Studenti” tashmë kanë marrë disbursimin e qirasë, ka ngelur edhe një 10% që ose e ka neglizhuar ose ka gjetur në alternativë tjetër strehimi. Jemi të përgatitur për këdo tjetër që ka nevojë të marrë paratë e qirasë dhe të jetojë në një vend shumë herë më dinjitoz se sa hapësira që kishte në “Qytetin Studenti”, tha ai.

Ndërkohë, edhe dhjetë godinat në Institutin Bujqësor do të demolohen, pasi paraqesin rrezik për ata që strehohen atje. Më konkretisht, bëhet fjalë për 8 godina që janë zënë nga familjarë gjatë viteve të tranzicionit, duke pësuar edhe ndërhyrje që e kanë dëmtuar në strukturë, si dhe dy godina të tjera ku strehohen studentë. “Këto vendime të rëndësishme po i marrim edhe në Universitetin Bujqësor. Do të fillojmë edhe aty prishjet masive, për të mos rrezikuar, kurse për godinat që nuk janë me familjarë, por për godina që në fakt banohen nga studentë, kemi marrë një vendim që t’i sistemojmë në godina të tjera ku kemi bërë verifikimin e sigurisë dhe nuk kemi asnjë problem. Në rastin e Mjekësisë, teksa bëjmë një studim më të thelluar, i kemi transferuar tek godinat tek Inxhinieria, ndërkohë që për Universitetin Bujqësor jemi përgatitur për të bërë një rimbursim të pagesës së studentëve, që secili prej tyre të ketë hapësirën e vet, të marrë një hapësirë ose me qira, ose të bëhen 3-4 vetë bashkë për të ndarë një shtëpi, të kenë pak para edhe për transportin, nëse do largohen dhe nuk gjejnë hapësira në Kodër – Kamzë”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se si në “Qytetin Studenti” ashtu edhe në Institutin Bujqësor do të ndërtohen dy kampuse të rinj universitar, duke sjellë një urbanistikë që i bën ballë 100 viteve të tjera të Tiranës. “Nga projekti i rindërtimit që do të kemi bashkë me qeverinë, siç kemi bërë me projektin e shkollave, ku kemi filluar shkolla të reja me një skemë shumë kreative, që i bëjmë pagesat ndër vite, besoj që edhe në “Qytetin Studenti” do kemi mundësi t’i bëjmë pagesat ndër vite, teksa fillon një kampus i ri këtu dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës, që besoj nga kjo fatkeqësi del edhe një avantazh i jashtëzakonshëm, për të sjellë një urbanistikë që i bën ballë 100 viteve të tjera të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb