KENIA

Së paku shtatë fëmijë humbën jetën pas shembjes së klasës së tyre në një shkollë fillore në kryeqytetin e Kenias, Nairobi. Struktura prej druri u rrëzua vetëm pak minuta pas nisjes së mësimit të hënën në mëngjes, thanë zyrtarët.

Sipas tyre, dhjetëra fëmijë janë plagosur dhe janë dërguar në spitalin e qytetit. “Për fat të keq kemi humbur shtatë jetë në incidentin e mëngjesit”, tha sekretari i Arsimit, George Magoha, për gazetarët jashtë shkollës në Dagoreti.

Drejtori i shkollës, Moisi Ndirangu, tha se arsye e incidentit mund të jenë ndërtimet e një kanalizimi pranë, që, sipas tij, mund t’i kenë dobësuar themelet e ndërtesës. Por, një arkitekt vendas, Alfred Omenya, i tha BBC-së se shkolla ishte ndërtuar dobët dhe se “katastrofa pritej të ndodhte”.

Kryqi i Kuq i Kenias i transferoi disa fëmijë në Spitalin Kombëtar Kenyata. Dy prej të plagosurve raportohet të jenë në gjendje kritike.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: