Nga Eduard Halimi
Raporti i DASH për Prishjet me tritol, konfiskimet me vendime qeverie dhe lirinë e medias në Shqipëri, konfirmon dobësinë dramatike të shtetit të së drejtës në Shqipëri!
Përtej çdo dyshimi, Raporti i DASH, konfirmoi nga përtej kontinentit se në Shqipëri ato që ndodhen në fund vit e kaluar ishin dramatike. Kudo në çdo vend të rajonit nuk mund të gjesh ngjarje të tilla të funksionimit të shtetit bazuar në aksione qeveritare “fushata dhe aksione” me zinxhirë të fadromave, shembje me tritoli të godinave të bisnesit apo qytetarëve. Në syrin e qytetarëve të thjeshtë është të paktën dramatike, në syrin e ne profesionisteve të ligjit është shkelje flagrante e ligjit dhe jo proporcionale me çfarëdo shkelje administrative që dyshohet se mund të këtë kryer qytetari apo personi juridik.
Rasti i shëmbjes së Prestige Resort me tritol i përmendur specifikisht në Raportin e DASH 2023 dhe konkluzionet e Departamentit me të rëndësishëm në botë, janë tronditëse, pasi nxjerrin në pah disa të vërteta të shkruara në anglisht, përtej propagandës, apo interesave të vogla këtu në Republikën tonë të vogël të baltës së kundondodhur qe mezi presim t’a shohim në fytyrën e fqinjit, rivalit, apo armikut duke propoganduar se funksionon rule of laë. (shteti ligjor)
Por DASH thotë se shkatërimi me tritol u bë për të heshtur kritikat dhe kundershtimet e qeverisë nga mediat lidhur me atë resort dhe se qeveria mbrohet me fushata tritoli; Se sistemi gjyqësor ishtë i paaftë të shqyrtonte një çështje para se qeveria të ndizte fitilin e tritolit, se qeveria nuk priti të shprehej gjykata por ndërhyri me tritol. Këto konstatime janë qartazi të thjeshta për ti kuptuar.
Në të vërtetë, pamje të tilla me ministra, drejtorë që numëronin vrimat e tritolit dhe kg e tij te vendosur në çdo kollonë, qytetarë të frikësuar para ekraneve, i kishim parë në vitet e para të qeverisë socialiste pas 2013. Fati i agresorëve që vunë tritolin dhe viktimave që iu shembën me tritol tani pas 8-9 vjetesh dihet.
Në fund po paguajnë taksapaguesit, për paligjshmërinë, pas proceseve deri ne Strasbourg, sepse asnjë shtet ligjor nuk funksionin bazuar në tritol.
Sepse shteti nuk funksionon me tritol! Bandat po! Funksionojnë ashtu me tritol dhe ekzekutime pa gjyq! Shihni zonat e krimit në Shqipërinë e mesme dhe në veri, lajmet e kronikes nga mëngjesi në mbrëmje!
Por shteti jo! Qeveria jo! Nuk mund të funksionojnë kështu. Nuk mund të funksionojë shteti ligjor bazuar në skenarin e tritolit. Sepse një Republikë duhet të funksiojë në rule of laë.
Shteti ligjor funksion bazuar në parimin e proporcionalitetit, ndërmjet shkeljes dhe sanksionit, dënimit. Nëse Prestige Resort nuk kishte paguar taksën e ndikimit, dënimi proporcional nuk është kurrë tritoli, por sanksioni (denimi)administrativ. Nëse një kompani ka bërë një ndërtim pa leje, ai duhet të shkojë në prokurori dhe të përgjigjet dhe është gjykata që duhet të vendosë se çfarë mase dënimi duhet të japë për të, dhe sigurisht jo qeveria, dhe jam i bindur se as tritolin nuk e jep si denim gjykata, në asnjë vendim të saj në këto 30 vite demokraci.
Se nuk e bën gjykata as për bandat as pasuritë bandave të vendosura nga droga, gjaku, krimi trafiku, nuk i vendos tritol kurrë, asnjë gjykatë nuk e bën këtë!
Edhe sikur të mendonim se qeveria kishte qëllim tritolin apo konfiksimin e pjesës tjetër, sërish kurrë nuk do ishte proporcionale me shkeljen pasi këtë dënim, ekzekutim me tritol, nuk mund t’a bëjë qeveria, kushdo qoftë ajo, nuk mund t’a bëjë ministri/ministrja kushdo qoftë ai/ajo.
Mund t’a bëjë vetëm sistemi i drejtësisë, mund t’a bëjë vetëm nëpërmjet një procesi ligjor, nga një gjykata e pavarur dhe e paanshme, në një kohë të arsyeshme, sipas nenit 6 të KEDNJ, por kurrë qeveria, kushdo qoftë, dje sot apo nesër.
Nuk e bën dot qeveria ekzekutimin pa gjyq te pronave, as për biznesin sado t’a urrejë atë siç nuk e bën dot as për bandat sado qe mund te luftoje me to! Aty i ka bandat dhe pasuritë e tyre që dyshohen që janë venë nga trafiku i drogës dhe krimit të organizuar. Për ato qeveria nuk i vendos dot tritolin, nuk i ekzekuton dot pa gjyq pronat e tyre, por është e detyruar t’i kalojë në një proces ligjor nga njëra gjykatë tek tjetra deri në shkallën më të lartë.
Qeveria kushdo qoftë ajo, nuk i konfiskon dot vetë me firmën e kryeministrit, ministres, ciladoqoftë ai/ajo pronat e bandave anë e mbanë Shqipërisë të dyshuara se janë vënë mbi veprimtarinë kriminale, shkelja më e rëndë e ligjeve në Shqipëri, por për ato prona vendos paraprakisht SPAK, GJKKO e deri Gjykata e Lartë. Dhe vetëm pas përfundimit të procesit gjyqësor në GJL, atëhere disponohet mbi to.
Po atëhere ku e gjen të drejtën qeveria që për shkelje administrative, jo kriminale, jo droge, jo trafiku të qenieve njerezore, të bëjë ekzkeutim pa gjyq të pronave të pretenduara se kanë bërë shkelje administrative? Ku e gjen të drejtën qeveria, kushdo qoftë ajo që të ekzekutojë me tritol, pasuri të cilat sipas pretendimeve të saj kanë probleme me taksat? Pse pasurive të krimit të organizuar dhe drogës u garantohet proces gjyqësor dhe pasurive të biznesit jo, duke i bërë presion gjykatave të mos marrin në shqyrtim , të mos marrin masa sigurimi, apo të mos shprehen fare siç citon Raporti i fundit i DASH?
Sa proporcionale është shkelja nga dy grupet e “shkelësve” në këtë histori me denimin efektiv që i rezervon qeveria? Atij që dyshohet se ka vënë pasurinë bazuar në rrjetin kriminal të organizatës së drogës, i garantohet një proces ligjor sipas nenit 6 të KEDNJ, për të konkluduar në lidhje destinancionin e pasurive, ndërsa këtyre të tjerëve që nuk kanë bërë asgjë në jetë por dyshohen nga qeveria se kanë shkelur ligjet për taksat e ambientit apo lejen e ndërtimit nuk i jepet e drejta e procesit ligjor si trafikantëve, por u ekzekutohet pa gjyq pasuria, me tritol, ose dekret qeveritar, menjëherë dhe pastaj u tregohet dera e gjykates qe thote, une skam me lëndë se ndërtesa u prish me tritol apo u konfiskua?!
Ku është proporcionaliteti mes shkeljes së atij banditit të organizatës kriminale me qytetarin/biznesin që kanë shkelur ligjet fiskale?
Ja pra kaq e thjeshtë është për çdo qytetar t’a shohë.
Si profesionist i ligjit e marr me mend sesi do shkojë kjo histori. Secili prej atyre viktimave qeveritare që iu ekzekutuan dhe po i ekzekutohen pa gjyq pasuritë e tyre me tritol, fadroma, dekrete qeveritare, pertej dhimbjes, tronditjes që lë vala goditese e tritolit dhe arrogancës do t’a gjejnë të drejtën e tyre siç e kanë gjetur dhe dhjetra të tjerë në Shqipëri, Rumani, Bullgari, në Gjykatën e Strasburgut, nëse Gjykata Kushtetuese do jetë e frustruar për të marrë një vendim që të detyrojë qeverinë që të ndalë konfiskimet me afat 7 ditor jashtë një procesi të rregullt ligjor.
Ata viktimat, do marrin dëmshpërblimin pa as më të voglin dyshim, me miliona euro, siç e kanë marrë edhe të paktën 16 të tjerë në Gjykatën e Strasburgut, por nuk di nëse do t’i lehtësojnë dhimbjen nga dhuna dhe plaga e tritolit apo konfiksimit por nga ana tjeter ato para do t’i paguajnë taksapaguesit nesër, nëpërmjet një skeme sërish vrastare të pafajshmve që duhet të paguajnë për diçka që nuk e kanë bërë ata, por e kanë në mënyrë arrogante të paligjshme ata që kanë zgjedhur për të drejtuar vendin agresoret e godinane me zinixhirët e tritolit. Dhe kjo nuk mjafton në të vërtetë.
Raporti i DASH për Shqipërinë tregoi se sistemi ynë gjyqësor në Shqipëri është i dobët dhe nuk arrin dot të vendosë shtetin ligjor kur përballë ka qeverinë, dhe kjo kritike e fortë duhet dëgjuar mirë nga Gjykata Kushetutese kur të marrë në shqyrtim VKM për konfiskimet qeveritare, apo ekzekutimet pa gjyq të pasurive të qytetareve dhe bisneseve duke i garantuar atyre minimumin e të drejtave që u garantohen edhe krereve të organizatave kriminale: një proces të rregullt ligjor.