TIRANE- Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama përmes një statusi në ‘Facebook’ është ndalur sërish tek çështja e shembjes së Teatrit Kombëtar.
Luan Rama ka analizuar edhe qëndrimin e aktorit Robert Ndrenika për këtë çështje, ku ky i fundit ishte një nga zërat kundër shembjes së godinës së teatrit.
“E meqë Berti, e bashkë me të edhe ata pas tij e mbyllnin kërkesën e tyre me postulatin “Kjo është tokë e shenjtë”, më duhet t’i referohem Biblës, sipas të cilës, të jesh i shenjtë do të thotë të jesh i pandotur, të jesh i përveçuar. Për këtë arsye, ajo që është e shenjtë, veçohet nga përdorimi i zakonshëm, ose konsiderohet e shenjtë, veçanërisht sepse është e pastër, e kulluar”, shkruan Rama.
STATUSI I LUAN RAMËS
Edhe një herë për teatrin me teatrin:
Të shembet apo të mos shembet? Kjo nuk është çeshtja!
Disa radhë për Robert Ndrenikën dhe ca të tjerë…
“Kjo tokë është e shenjtë!” Kështu është shkruar gati tre muaj më parë. Saktësisht, më 30 prill 2018. Eshtë fjalia e fundit, në mbyllje të një propozimi drejtuar ministreshës që merret edhe me punët e kulturës, me anë të të cilit, një dyzinë njerëzish gjithfarësh, të prirë në listë prej “Artistit të Popullit”, siç pëlqej t’i drejtohem unë, alias “Nderit të Kombit” e mikut tim të vyer Robert Ndrenika, kerkonin shpalljen zonë monument kulture, të hapësirës publike ku gjendet prej vitit 1938 të shekullit të kaluar, Teatri Kombëtar!
Një kërkesë e arsyetuar bindshëm dhe me plot argumenta shkencorë, që në thelb synonte paprekshmërinë e asaj pjese të historisë qytetare të Tiranës së fillimshekullit XX. E më shumë se sa paprekshmërinë, në fakt, thelbësisht projektonte marrjen në mbrojtje, nën statusin “monument kulture”, me të gjitha konseguencat që mbart ky status.
E meqë Berti, e bashkë me të edhe ata pas tij e mbyllnin kërkesën e tyre me postulatin “Kjo është tokë e shenjtë”, më duhet t’i referohem Biblës, sipas të cilës, të jesh i shenjtë do të thotë të jesh i pandotur, të jesh i përveçuar. Për këtë arsye, ajo që është e shenjtë, veçohet nga përdorimi i zakonshëm, ose konsiderohet e shenjtë, veçanërisht sepse është e pastër, e kulluar.
Ndërsa në shqipen e sotme, tokë e shenjtë, në kuptimin “tokë jopagane”, do të thotë “jo e pëgërë”, “jo e pëgjânë”.
M’a do mendja që kjo duhet të ketë qenë edhe arsyeja, se përse Berti dhe të tjerët, ata të shumtët pas tij, e kanë përdorur shprehjen “Kjo tokë është e shenjtë”, për pikëlidhje mes kërkesës për shpalljen e Teatrit Kombëtar dhe të të gjithë zonës rreth e rrotull monument kulture, dhe emrave të tyre!
Por, meqë prej shprehjes “Kjo është tokë e shenjtë”, pata ngasjen t’i referohem Biblës, prej Librit të Shenjtë mësojmë se ka ndodhur që “e pëgëra” të shpallet e shenjtë, por jo e kunderta. Ndodhi me Mari Magdalenën, prostitutēn qe u shpall shenjtore. Por nuk ka ndodhur kurrë që një i shenjtë të desakralizohet.
E sot, më duhet ta pyes mikun tim “Artist të Popullit”, pra Robert Ndrenikën, e jo të tjerët pas tij në fakt: a është ende i bindjes “Kjo është tokë e shenjtë !” për atë hapsirë të kryeqytetit ku gjendet Teatri Kombëtar? A i qëndron ende Robert Ndrenika kërkesës së nënshkruar prej tij në krye të rendit në një listë bashkë me ca të tjerë, se ajo pjesë e Tiranës historike duhet të shpallet zonë monument kulture?
Sepse, këtë historinë e teatrit dhe refrenin “të prishet – të mos prishet” e kemi diskutuar shumë herë edhe bashkë, e prej tij dhe, edhe për të, unë e mbështeta kërkesën e tyre, prej tij e për të e kundërshtova e vazhdoj t’a kundërshtoj prishjen zonës “monument kulture”, të asaj gjurmë qyteti që vjen prej tetëdhjetë vjetësh, si shenjë dhe histori e një epoke!
Të prishet apo të mos prishet? Në fakt kjo nuk është çështja!
Të gjitha; dilemat, nostalgjitë, emocionet, historitë, mëdyshjet, hipokrizitë, interesat, edhe pazaret, allishverishet, kusuret, servilizmi, lotët dhe gëzimet, edhe në fund duartrokitjet janë aty!
E kam thënë dhe më parë e prapë po e përsëris se nuk është vetëm çështje sentimenti çështja e teatrit. Mund të mendoni se sa emocione janë arkivuar në atë ndërtesë. Njerëzit kanë duartrokitur, kanë qeshur, kanë qarë, kanë pranuar, kanë refuzuar. Jeta e kryeqytetit është e lidhur me këtë ndërtesë, sado modeste të duket.
Tashmë, ajo është kthyer në një çështje dinjiteti dhe integriteti!
E kur këto gjëra të shenjta përmbysen, nuk të vjen askush në ndihmë si ngushëllim përveç Kiplingut, me “Në mund…”, të sjellë në shqip nga Noli ynë i madh. Ndaj, për ata që nuk e kanë lexuar, po citoj një fragment:
“Në mundsh të ruash arsyen kur bota humbet fillin,
e fajin ty ta hedh dhe vehtes t’i besosh,
sa herë te ty dyshojnë e s’të perfillin,
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…
Në mundsh të rrish në pritje nga pritja palodhur,
a kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi me to pa rënë ndesh…
Në mundsh të flasësh me maskarenj,
por nderin tënd të ruash
a t’ecësh përkrah mbretit,
pa krenari që të verbon…
nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash dhe gjithkënd e çmon,
por veç aq sa meriton.
Në mundsh t’i mbushësh ti minutat,
që të rënda me veprat që peshojnë,
dije dhe mos ki asnjë dyshim,
se e jotja do jetë bota me gjithë ç’ka brenda,
dhe BURRE do t’jesh o biri im”.
Të shembet apo të mos shembet? Kjo nuk është çështja!
“Aktorët kërkojnë refuzimin. Nëse nuk e marrin, ata refuzojnë vetveten”. Kështu ka thënë një emër i madh, Charli Chaplin.
(ed.me/BalkanWeb)