NGA ARMIR MEHAJ

Sot kur besimtarët e krishterë të veriut të Shqipërisë ,dhe jo vetëm, kremtojnë festen e “Shën Palit”, Kisha me emrin e tij një ndër më të rëndësishmet e mbarë Ballkanit rënkon në fatin e vet të hidhur edhe pse besimtaret e saj ëndërrojnë që ajo një ditë t’i rikthehet krenarisë dhe famës së dikurshme.

E njohur herët si Manastiri i Shën Palit e më vonë si Abacia me emrin e të njëjtit shenjt, historia që mbart ky objekt i kultit dhe etapat historike nëpër të cilat ka kaluar duke i bërë ballë pushtimeve të ndryshme, madje dhe atij komunist për 50 vite me radhë daton që herët. Të dhënat historike që flasin për “Shën Palin” e Kabashit tregojnë se objekti i ka fillesat që në shekullin e dytë kur Kabashi ishte një qendër e rëndësishme jo vetëm për rrethin e Pukës.

E konsideruar si nëna e dhjetëra Kishave ne Veri, Abacia e Shën Palit thuhet se rrethohej nga një sërë objektesh kishtare, një tjetër dëshmi kjo e rëndësisë, që në lashtësi e këtij objekti që sot mbetet i zhytur nën pluhurin e harresës së shtetit ashtu si shume vlera të trashëgimisë tonë. Objekti i rëndësisë së veçantë edhe pse është shpallur monument kulture i kategorisë së parë që në 5 nëntor të vitit 1984 ajo asnjëherë nuk ka marrë vëmendjen e Shtetit dhe as aktorëve të tjerë të shoqërisë çfarë ka sjellë dhe rrënimin e saj.

Besimtarët, banorë të fshatit Kabash sjelli kujtime nga Kisha e dikurshme sot rrënojë, teksa kërkojnë rikonstruksionin e saj.

Ndërtimi i Kishës së Shën Palit në Kabash të Pukës nuk është vetëm një kërkesë e besimtarëve të krishterë por mbarë banorëve të kësaj zone, Skënder Laci dhe Shpresa Lluka janë besimtarë myslimanë, por ëndërrojnë që ta rishikojnë sërish Kishën të ndërtuar për vetë rëndësinë që mbart.

Shën Pali në Kabash duket se ka pësuar fatin që pukjanët kanë prej vitesh si pasojë e mungesës së përfaqësimit dinjitoz nga ata të cilëve u besojnë fatet e menaxhimit të jetës se tyre, por që gjithnjë prej tyre korrim zhgënjimin që jo rrallë shndërrohet prej popullit në mallkim.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb