TIRANË-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj deklaroi në Kuvend se në spitalet e rretheve mungojnë 298 mjekë specialistë. Teksa ka debatuar me deputetët e opozitës për Projektligjin për Kujdesin Shëndetësor, Beqaj theksoi se shkak për këtë mungesë mjekësh është bërë opozita, e cila sipas tij i bllokoi për 4 vjet specializimet.

“Na mungojnë 298 mjekë specialist në spitale jashtë Tirane sepse ju për 4 vjet i bllokuat specializimet. Ligji është i pa plotë dhe mjekët janë në udhëkryq. Testimi i infermierëve u konfirmua nga gjykata që ishte i ligjshëm. Është e domosdoshme që në këtë projekt të plotësojmë kuadrin. Të jemi të vetëdijshëm që duhet ta zbatojmë në mënyrë uniforme si në institucionet publike dhe private shëndetësore.”-u shpreh Beqaj.

Ndërsa deputeti i opozitës Roland Keta teksa përmendi faktin që spitali i qytetit të Bulqizës nuk ka mjek kirurg theksoi se ministri duhet të gjejë një zgjidhje dhe jo të justifikohet.

“Unë dhe opozita mbështesim çdo nismë që i shërben shërbimit shëndetësor që qytetarit. Më vjen mirë që ministri e pranoi që në Bulqizë nuk ka kirurg. Është fatkeqësi që në një qytet minatorësh ku aksidentet ndodhin përditë mos ketë kirurgë. Ministri nuk mund të kthejë këtë përgjigje. Në spitalin e Peshkopisë ka 5 kirurgë dhe mund të vijnë në Bulqizë. Ndryshimet në ligj i sollëm ne, se ju e sollët ligjin si e lamë ne në 2009.”- u shpreh Keta.

VASILI: LIGJI PER KUJDESIN SHENDETESOR KA PËRMIRËSIME THELBËSORE
Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili deklaroi sot në foltoren e Kuvendit se pr/ligji i ri për kujdesin shëndetësor që prezantohet sot ka pësuar përmirësime thelbësore.

“Pr/ligji sjell përmirësime thelbësore në ligj për kujdesin shëndetësor. Ligji i mëparshëm ka pasur efekt shterues. Një nga risitë e rëndësishme është sepse procesi i ricertifikimit bashkëshoqëron edhe ecjen në karrierë, element që ka bashkëshoqëruar profesionistët në të gjithë botën”.

Vasili shtoi se, “Një element i rëndësishëm është se në ndryshimet e bëra, ligji bashkëjeton me integritetin e urdhrave profesionalë, ky është një ogur i mirë, duke e bërë edhe më solid këtë sistem që është operativ që të kuptojë se asnjë s’mund të flerë mi mediokritetin e ditës”.

Ai shtoi se një mjekësi që iu largohet librave nuk është e duhura.

VOKSHI: PERSONELI GJEN PUNË VETËM NËSE KALON NGA ZYRA E MINISTRIT
Deputetja Albana Vokshi tha se ky ligj është vijim i satirës politike për kujdesin shëndetësor. Sipas saj, personeli shëndetësor për një vend pune tashmë duhet të kalojë nga zyra e ministrit.

“Satira politike për kujdesin shëndetësor vijon, kabineti Rama po përgatit vëllimin e dytë, ku personeli gjen punë vetëm nëse kalon nga zyra e ministrit”-, deklaroi ajo.

(a.n/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: