Donatorët e Partisë Demokratike të SHBA-së po shqyrtojnë mënyrat se si mund të largojnë Joe Biden nga gara presidenciale kundër vullnetit të tij dhe të zëvendësohet me një kandidat më të fortë, raportoi të dielën The New York Times.

Diskutimet pasojnë performancën e dobët të Bidenit në debatin e së enjtes me Donald Trump. Një sondazh i kryer nga CNN zbuloi se 67% e votuesve të regjistruar që ndoqën përplasjen televizive në Atlanta, mendonin se Trump kishte fituar.

New York Times shkroi se po zhvilloheshin diskutime me këshilltarët politikë mbi “rregullat e fshehta” që mund të lejojnë që Biden të përjashtohet nga votimi i vitit 2024 përpara Konventës Kombëtare Demokratike, të planifikuar për në gusht.

Një donator nga Silicon Valley, i cili kishte planifikuar të organizonte një mbledhje fondesh me Biden më vonë këtë verë, thuhet se e ka anuluar ngjarjen dhe një sponsor i madh nga Kalifornia u shpreh se debati ishte një “katastrofë e plotë” për Presidentin aktual.

Demokratë të tjerë të pasur thuhet se kanë shprehur shpresën se Biden “do të kuptojë situatën dhe do të vendosë të largohet vetë”. Ideja për të kontaktuar zonjën e parë Jill Biden është gjithashtu duke u shqyrtuar, thanë burimet.

NBC News më herët citoi burime të thoshin se i vetmi person që mund të ndikojë në vendimin e Biden është gruaja e tij. Çifti thuhet se do t’i bashkohet fëmijëve dhe nipërve të tyre të dielën në Camp David, ku Biden priste të “vendoste nëse do të vijojë me garën apo do ta përfundojë herët fushatën e tij”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb