I ftuar në “Koha për t’u zgjuar” në News24, mëngjesin e sotëm ishte mjeku gjinekolog Shkëlqim Balili, i cili ka dhënë këshilla në lidhje me shëndetin në përgjithësi dhe atë riprodhues në veçanti.
“Zoti i ka dhënë njeriut energji që të jetojmë më shumë se 100 vite, por mënyra se si ne e menaxhojmë këtë energji tregon se sa do të jetojmë. Është një shprehje që thotë mënyra si ushqehemi dhe se si glukoza dhe insulina reagon në trupin tonë, tregon sa shpejt po plakemi. Ne si komb duhet të vlerësojmë shëndetin si pasurinë më të madhe që kemi. Janë dy shtylla, natyra dhe shkenca. Është një shprehje franceze që thotë nëse dini pak në shkencë jeni ateistë, por nëse e njihni totalisht atë, atëherë ju besoni tek Zoti. Trupi është shtëpia ku njeriu bën jetën e tij. Me gjithçka që është zbuluar deri tani, ende nuk është zbuluar se si funksionon truri dhe neuronet. Si është organizuar dhe si funksionon jeta. Jeta është e organizuar me faza dhe çdo sëmundje apo komplikacion varet me këtë”, tha ai.
Mjeku ka renditur edhe arsyet të cilat ndikojnë në infertilitet për meshkujt dhe femrat.
“Nëse një çift për një vit nuk arrijnë të ngelin shtatzënë pas seksit të pambrojtur, tregon që kanë probleme të shëndetit riprodhues. Sa i përket femrave, problemet zakonisht lidhen me infeksionet apo ovulacionin pra mospjekjen e vezës. Për meshkujt, zakonisht problemet janë me hormonet në teste. Kemi shumë femra e meshkuj që kanë disbalancë hormonesh që ndikon në infertilitet, gjë që çon edhe drejt fertilizimit invitro”, u shpreh ai.