Ashtu si ishte parashikuar, tre liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, zhvilluan sot një konferencë on line, ku diskutuan mbi Minishengenin Ballkanik.

Në këtë video konferencë ishin të pranishëm, kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç si edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Mediat serbe raportojnë se bashkëbiseduesit në këtë takim on line, ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por gjithashtu që Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq, pasi rajoni është i rrethuar nga kufijtë e BE-së dhe vendet që aspirojnë anëtarësimin ndajnë vlerat e përbashkëta Evropiane.

“Ne i bëjmë thirrje dhe inkurajojmë kolegët tanë nga rajoni të nënshkruajnë dhe zbatojnë marrëveshje të ngjashme, në mënyrë që vizioni i një hapësire të përbashkët politike dhe ekonomike në të gjithë Ballkanin Perëndimor së shpejti, përmes tregut të vetëm, të bëhet një pjesë e rëndësishme e përditshme e qytetarëve tanë , “-thanë bashkëbiseduesit, raportojnë mediat serbe.

Kosova nuk ishte e përfaqësuar në këtë takim, pasi edhe më herët është shprehur se nuk e njeh “Shengenin Ballkanik”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb