TIRANË

Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, avokati Spartak Ngjela e shikon si asgjë veprimin e bërë ndaj ambasadorit të OSBE në Tiranë Bernd Borchardt dhe shënimet në banesën e tij ‘Turp të kesh’. Në “Dritare me Rudinën”, në News24, Ngjela e quajti jo profesionist zëvendës ministrin e brendshëm Julian Hodaj, duke thënë se ai flet me opinion e jo me fakt.



“Zëvendës ministri nuk është profesionist. Nuk flet zëvendës ministri me opinion, ai nuk është hetues, ai flet me faktin. Në qoftë se fjala i shmanget faktit , humbet e vërteta. Ajo e ambasadorit nuk duhet amplifikuar deri në këtë rang. Është e gabuar. Nuk është organizatë është një institucion i nivelit të lartë. Si po ngrihet problemi është në dëm të ambasadorit. Është një gjë jo e jashtëzakonshme ajo që ndodhi. Gjithçka varet nga gjuha. Çfarë ka ndodhur sipas optikës sime. kam bërë 6-7 fushata vetë. Gjuha në fushatë është shumë e ngatërruar. Në radhë të parë qëndrojnë ata që bërtasin, si tifozë anglezë që e marrin vesh rezultatin kur shkojnë në shtëpi. Unë kur bëja fushatë thosha flas për ata në fund. Gjuha e politikës ka qenë shumë e ashpër. Me gjakra të ndezura s’mund të thuash kërcënohet një ambasador. Qeveria ka gabuar. Ambasadori mbajti një qëndrim.
Nuk është profesionist, mund të jetë një ish-shkrimtar. Nuk flet zv.ministri pa fakte. Unë e njoh mirë historinë e ndërkombëtarëve. nuk e kanë në favor ata të flitet kështu. Çfarë iu ka ndodhur, asgjë. Dy njerëz të thjeshtë, nëse kanë bërë ndonjë shkelje le të gjobiten. Dhe ata nuk besoj se e kanë marrë kaq seriozisht”, tha Ngjela.


(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: