ELBASAN
40-vjeçari Renato Çepa ishte shënjestër e atentatit me eksploziv në Elbasan, që i mori jetën autorit të dyshuar rreth 24 vjeç.
Burime për “BalkanWeb” bënë me dije se Renato Çepa që u tentua t’i vihej makinës së tij lëndë shpërthyese rezulton person me precedentë penalë në fushën e lëndëve narkotike.
Po kështu 40-vjeçari rezulton i skeduar nga policia për lidhje me të ndjerin Emiljano Ramazani të vrarë katër vite më parë si edhe me personazhe të tjera të botës së krimit.
Emiljano Ramazani ka qenë një eksponent i dalluar i krimit në qytet, që njihej për lidhjet e tij me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Ai u qëllua për vdekje, më 20 korrik 2020, vetëm pak sekonda pasi ishte ndalur me makinën e tij në sheshpushimin e pallatit ku banonte në vendin e njohur si ‘Rrethrrotullimi i Luleve’ në Elbasan.
NGJARJA
Rreth orës 04:10 të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Shënkoll”, dyshohet se një shtetas rreth 24 vjeç, duke vendosur lëndë eksplozive në automjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit Renato Çepa, lënda eksplozive ka shpërthyer dhe për pasojë 24 vjeçari është dëmtuar dhe transportuar në spital. Si pasojë e plagëve të marra 24-vjeçari ka humbur jetën në spital.