Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 15 maj shpalli Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që këto çështje të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare.

Në këtë ditë në gjithë botën organizohen aktivitete në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, që kanë për qëllim të tregojnë zona të ndryshme të rëndësishme për familjen dhe proceset shoqërore, ekonomike dhe demografike që prekin familjet.

Qëllimi i shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Familjes është që të promovojë familjen dhe vlerat e familjes, nxitjen e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë dhe për të ndihmuar familjet për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin.

Familja e shëndoshë është gjeneratori kryesor i një shoqërie të shëndoshë, i një të ardhmeje të sigurt, si dhe njëri prej faktorëve kryesorë i ecurisë normale të shtetit. Për të ekzistuar familja, së pari si nocion, e pastaj si realitet, duhet që patjetër t’i jepet rëndësia e duhur martesës.

Fenomeni i martesës, pa më të voglin dyshim, është esenca e familjes dhe shoqërisë, por nuk përjashtohet mundësia se, martesa mund të shërbejë, edhe për shkatërrimin e familjes, duke qenë njëkohësisht në numër të gjithë pjesëtarët që e përbëjnë atë. Në shoqërinë e sotme, divorcet dhe mungesa e harmonisë në familje është bërë një realitet i pamohueshëm.

Është e nevojshme të hartohen politika dhe strategji për nxjerrjen e shoqërisë nga ky proces ku është futur. Në Ditën Botërore të Familjes, apeli më i mirë është rritja e vëmendjes ndaj familjes, duke zbatuar një politikë strehimi tepër lehtësuese për familjet e reja, lehtësi në punësimin e tyre si dhe ndihma direkte për shkollimin e fëmijëve për familjet në nevojë.

Për të nxjerrë shoqërinë nga problematika e ditëve të sotme, është e nevojshme që familjet në nevojë të trajtohem me lehtësira financiare. Të hapen rrugë dhe perspektiva për to, të reduktohet varfëria, të luftohet krimi, droga, të parandalohen dhe të luftohen sëmundjet seksualisht të transmetueshme etj.

Në shoqërinë bashkëkohore, për fat të keq, struktura familjare është ligështuar ndjeshëm, sepse i është nënshtruar një sërë sulmesh të karakterit moral, ekonomik etj. Kjo sjell si pasojë kolapsin e lindjeve.

Ndërsa numri i lindjeve në Amerikë vijon të jetë i kënaqshëm e në vendet aziatike i bujshëm, në Evropë çiftet janë të brishta. Bashkimi ndërmjet tyre zgjat pak, nuk kanë projekte as për veten e aq më pak për brezat e ardhshëm.

Prandaj mbizotëron mendimi konsumistik, që ka në qendër të vëmendjes blerjen e shtëpisë, të automobilit etj. E kjo sjell si pasojë kolapsin e strukturave familjare, ligështimin e tyre të mëtejshëm e, natyrisht kolapsin demografik, me pasoja të rënda.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: