POGRADEC – Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë të gjithë vendin prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, kanë shkaktuar probleme të shumta. Ndërsa vëmendja e strukturave shtetërore është përqëndruar kryesisht në qarkun e Fierit dhe Vlorës, ku lumenjtë kanë dalë nga shtrati prej 7 ditësh, duke përmbytur toka e shtëpi, në Pogradec është shënuar viktima e parë.
Burime nga policia e Pogradecit bëjnë të ditur se një 38-vjeçare është rrëmbyer nga ujërat e lumit në fshatin Vërdovë, të cilat kanë vërshuar në oborrin e shtëpisë së saj. Mësohet se viktima është identifikuar si Monika Abrashi, ndërsa policia bën të ditur se trupi i saj është gjetur në grykëderdhjen e Ohrit. Autoritetet u sinjalizuan nga një banor i fshatit Vërdovë, i cili kishte parë gruan të rrëmbehej nga ujërat e lumit, rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm.
Në një lidhje telefonike në “News24”, dëshmitari rrëfeu se gruaja ishte ngjitur mbi avllinë e shtëpisë, kur është rrëmbyer nga lumi.
“Ishte sipër avllisë, pastaj u shemb avllia dhe e pamë rreth 10 metra më poshtë që e mori lumi. Zonja është e ardhur nga fshatrat e Mokrrës, rri këtu në Vërdovë. E njoh si fytyrë, është e martuar ka dhe dy fëmijë.”- deklaroi dëshmitari.
“Ditën e sotme rreth orës 09.40, ka mbërritur një telefonatë tek numri 129, në Sallën e Komandimit pranë Komisariatit të Policisë Pogradec se në fshatin Vërdovë Komuna Buçimas si rezultat i reshjeve të shumta ka dalë nga shtrati lumi i fashatit Vërdovë dhe si pasojë ka shembur murin rrethues të banesës të shtetasit A. Abrashi. Rrjedha e këtij lumi pasi ka dalë nga shtrati ka hyrë në oborrin e banesës së shtetasit të mësipërm dhe ka marrë me vete shtetasen M.Abrashi, vjeç, 38 banuese në fshatin Vërdovë- Pogardec. Shtetasja e sipërcituar ka qenë në oborrin e banesës (sipër murit rrethues), me qëllim për të mbledhur drutë e zjarrit të cilat po merreshin nga rrjedha e lumit. Menjëherë nga ana e shërbimeve të policisë Pogradec është ngritur grupi i punës dhe është shkuar në fshatin Vërdove, ku është konstatuar se është rrëzuar një pjesë muri rrethues të oborrit që kufizohet me shtratin e lumit me një gjatësi prej 7.2 m, si pasojë kjo e prurjeve të shumta. Më pas është bërë kontrolli i rrjedhës së lumit të fshatit Vërdovë, në gjithë gjatësinë e tij deri në bregun e liqenit të Ohrit dhe rreth orën 10.00 tek vendi i quajtur pompat, që korrespondon me grykëderdhjen e lumit Vërdovë, në bregun e liqenit Pogradec në një distancë rreth 30 m në brendësi të tij u gjend kufoma e shtetases A.Abrashi. Materialet për ngjarjen e mësipërme do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për hetime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Korçës.

Jugu i Shqipërisë po “lufton” me ujërat e lumenjve që prej rreth një jave. Mijëra hektarë tokë janë përmbytur ndërsa qindra banorë janë detyruar të braktisin banesat e tyre, për shkak të rrezikut që u kanoset.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: