Skenari i një lufte mes Rusisë dhe NATO-s, në një të ardhme jo shumë të largët, është ngritur shumë herë në të kaluarën, kryesisht nga ana e Aleancës, me Sekretarin e Përgjithshëm Mark Rutte që i bën thirrje Evropës të “zgjohet”.
Këtë herë, është Shërbimi Federal i Inteligjencës Gjermane (BND) dhe Forcat e Armatosura (Bundeswehr), të cilat sipas informacioneve të publikuara nga Bild, Süddeutsche Zeitung, WDR dhe NDR, vlerësojnë se Rusia po përgatitet për një luftë në shkallë të gjerë me NATO-n, pasi forcon fuqinë e saj ushtarake dhe përballet me Perëndimin si një kundërshtar sistematik.
Në raportin e ri të agjencive gjermane thuhet se Kremlini është i gatshëm të përdorë mjete ushtarake për të arritur qëllimet e tij. Raporti thekson se, deri në fund të dekadës, Rusia do të ketë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për të zhvilluar një “luftë konvencionale në shkallë të gjerë” – dhe kjo, pasi Vladimir Putin nuk i kufizon ambiciet e tij në Ukrainë.
Nga ana e tij, Shërbimi Informativ Lituanez (VSD) vlerëson se Moska nuk është ende në gjendje të nisë një luftë të përgjithshme kundër NATO-s, por e konsideron të mundur marrjen e një aksioni ushtarak kundër një ose më shumë vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në rast të përfundimit të luftës në Ukrainë, është planifikuar një rishpërndarje e njësive ruse në kufirin me NATO-n, ndërsa në qytetin e Murmansk, Rusia ka vendosur tashmë nëndetëse me energji bërthamore.
Numri i personelit në forcat e armatosura ruse pritet të rritet në 1.5 milionë deri në vitin 2026. Bazuar në planet e vitit 2022, personeli, sistemet e armëve dhe pajisjet në kufirin me NATO-n do të rriten me 30% në 50%.
Buxheti i mbrojtjes i Rusisë për këtë vit vlerësohet në 120 miliardë euro. Krahasuar me vitin 2021, Moska pothuajse ka katërfishuar shpenzimet e saj ushtarake.
(BalkanWeb)