Forcat e armatosura gjermane do të rriten dhe kanë nevojë për forma shtesë të rekrutimit. Projektligji i ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius fokusohet në shërbimin vullnetar.
Ministria gjermane e Mbrojtjes me një projektligj po hedh themelet për futjen e një shërbimi të ri ushtarak në Gjermani.
Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius shpreson se Kabineti Federal do të miratojë planet e tij, të cilat duhet të eliminojnë një pengesë të madhe.
Pse është i nevojshëm një model i ri i shërbimit ushtarak?
Duke pasur parasysh ndryshimin e situatës së kërcënimit, Forcat e armatosura gjermane “Bundeswehr” duhet të shtohen në numër.
Nga njëra anë bëhet fjalë për numrin e ushtarëve aktivë. Në vitet në vijim, numri i tyre do të rritet nga rreth 180.000 në rreth 200.000.
Do të nevojiten gjithashtu më shumë rezervistë.
Që nga pezullimi i rekrutimit në vitin 2011, Bundeswehr-i i është drejtuar rekrutimit të vullnetarëve, për shembull përmes qendrave të karrierës së forcave të armatosura.
Deri sot, çdo vit kanë dalë vullnetarë për shërbimin ushtarak rreth 10.000 të rinj dhe të reja. Kjo mundësi do të vazhdojë të ekzistojë. Megjithatë, nuk do të mjaftojë për të zgjidhur problemet e personelit të trupave.
Si funksionon modeli i ri?
Kur të arrijnë moshën e shërbimit ushtarak, pra zakonisht 18 vjeç, të rinjtë dhe të rejat do të marrin një letër me një kod QR që përmban një pyetësor në internet nga Bundeswehr.
Meshkujt kanë detyrimin ta plotësojnë pyetësorin. Nëse nuk e bëjnë këtë edhe pasi iu kërkohet një gjë e tillë, ata përballen me gjobë.