NGA TEDI BLUSHI*
Kjo që po ndodh në Korçë nuk ka ndodhur as në vitin 1997! I riu Tomi Misha, i ndaluar dje me “akuzën” banale të gërvishtjes së makinës së zv/drejtorit të pezulluar të Policisë së Korçës, Arben Hyseni sipas familjarëve të tij është dhunuar mbrëmë barbarisht në qelitë e Komisariatit për orë të tëra nga vetë Hyseni duke përfunduar në spital ku është gdhirë edhe mëngjesin e sotëm me fraktura të rënda. Ndaj tij është marrë dhe masa e arrestit! Skandali po merr përmasa më të medha ndërkohë që Hyseni guduliset me masë administrative “pezullim”!

Nga Policia e Korçës thonë se i riu Misha ka qenë i alkoolizuar! Por këtë nuk e vërteton asnjë ekspertizë mjeko-ligjore por vetëm ekspertiza e shputave, grushtave e shqelmave të Hysenit ndaj të riut, si ditën për diell ashtu edhe në qelitë e errëta të paraburgimit! Këto metoda dhune “sherifi” i Korçës i njeh mirë se siç thonë edhe mjaft denoncime publike, ai ka qenë ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit. Fashikullin e tij burime shumë të besuara pohojnë se e gjen edhe sot në arkivin e SHISH. Koha e Hysenit në krye të Policisë së Korçës duhet të fillojë të numërohet mbrapsht! Akuzat publike të bëra ndaj tij nga kolegët dhe qytetaret për afera korruptive e favorizime të grupeve të narko-trafiku në Elbasan, Lazarat e Gjirokastër, si dhe akuzat për dhunë sistematike në gjendje të dehur ndaj qytetarëve, afera korruptive e dekonspirim të një sërë aksionesh të Policisë e SHISH-it në Korçë ka ardhur koha të hetohen nga Prokuroria! SHKB dhe Prokuroria duhet të hetojnë dhe t’iu japin përgjigje edhe këtyre pyetjeve:

1. Kush i dekonspiroi hetimet dhe kush e njoftoi drejtorin e një banke të nivelit të dytë në Devoll, të dyshuar për vjedhjen e 1 mln euro që të arratisej fill pasi ndaj tij nisën hetimet?

2. Kush i dekonspiroi përgjimet e SHISH ndaj një zyrtari të lartë të tatimeve në Korçë, i cili ditën që dosja e tij iu kalua për ndjekje të mëtejshme Policisë së Korçës, u njoftua, dhe brenda ditës u transferua në një detyrë tjeter nga Korça në Tiranë?

3. Kush e urdhëronte krimin ekonomik në Korçë që të mos e hetonte zyrtarin e lartë të hetimit tatimor që iu vinte gjoba bizneseve në Korçë dhe Pogradec edhe pse ndaj tij në Policinë e Korçës ishte “kopsitur” një dosje e detajuar nga shërbimet inteligjente?
Prokuroria të mos heshtë më!

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb