Nga: JETON SELIMI *
Darvidas Shernas, sulmuesi i përfaqësueses së Lituanisë, është bashkuar me të kuqtë, ndërsa klubi ka njoftuar zyrtarisht në rrjetin social “Facebook” se mes lojtarit dhe Partizanit është arritur akordi financiar. Shernas duhet të jetë edhe sulmuesi që Shpëtim Duro ka pritur, ndërsa zyra për shtyp njoftoi se: “Klubi ka arritur akordin me ish-golashënuesin e Vidzev Lodzin dhe ekipit të Gaziantepsporit të Turqisë. 30-vjeçari Shernas ka veshur 35 herë fanelën e Kombëtares lituaneze, duke shënuar edhe 5 gola, ndër të cilëve edhe portierit më të mirë në botë në vitet e fundit spanjollit Iker Kasijas. Darvidas Shernas pritet t’i bashkohet skuadrës këtë javë”.
Shernas e ka nisur karrierën me moshat e Dainava Aljtusit, ndërsa më pas ka kaluar te skuadra Vetrës, duke e nisur nga kategoria e dytë lituaneze në vitin 2002, për t’u ngjitur më pas në kategorinë e më të mirëve dhe për të qëndruar në pjesën e sipërme të klasifikimit. 134 ndeshje dhe 28 gola për të, ndërsa në 2008 vjen një transferim i pasuksesshëm te rusët e Spartak Nalshikut. Kulmin e suksesit, Shernasi do ta ketë te polakët e Vidzev Lodzit, ku në dy sezone luan 68 ndeshje dhe shënon 30 gola. Më pas kalon te Zaglebie Lubini, sërish në kampionatin polak, ku luan 39 ndeshje për 5 gola, ndërsa provon dhe një huazim te turqit e Gaziantepsporit, ku në 19 ndeshje shënon 6 gola. Vitin 2014 e kalon të ndarë mes një aventure te Perth Glori në Australi, 10 ndeshje një gol, dhe te polakët e Vigri Sulvakit, në kategorinë e dytë, sërish 10 ndeshje një gol.
Nexhipi
Kapiteni i Partizanit, Nderim Nexhipi, është shfaqur përpara mediave në një konferencë për shtyp, ndërsa ka bërë një analizë të shkurtër të fazës përgatitore, afrimeve në ekip dhe pritshmërive të të kuqve për pjesën e mbetur të sezonit. “Kemi zhvilluar një fazë përgatitore intensive me kushte optimale. Ekipi është në gjendje mjaft të mirë në prag të fillimit të kampionatit. Afrimi në ekip i dy lojtarëve, si Krasniqi dhe Bylykbashi, të cilët njihen mirë nga opinioni sportiv, them që do jetë mbështetje për ne dhe ndihmesë mjaft e madhe për ekipin. Në Laç na pret një ndeshje e vështirë, por nëse duam të realizojmë objektivat tona për kreun e renditjes duhet patjetër rezultat pozitiv. Përqendrimi për këtë ndeshje nga ne është maksimal dhe shpresojmë të marrim maksimumin në këtë sfidë”, u shpreh Nexhipi. Shqiptari nga Shkupi më pas deklaroi se nuk duhet që Partizani të lërë më pikë me ekipet e vogla, ndonëse në pjesën e parë të sezonit ka dominuar ndaj rivalëve më të fortë në ligë. “Fitoret me rivalët direkt për titull sigurisht janë shumë të rëndësishme, por kurrsesi nuk duhet lënë pikë edhe ndaj ekipeve të tjera duke parë që kampionati është i gjatë dhe çdo ndeshje duhet vlerësuar maksimalisht. Gjatë fazës përgatitore kemi shënuar mjaft gola dhe shpresoj që edhe në kampionat të vazhdojmë këtë ecuri pozitive”, deklaroi kapiteni i Partizanit, Nderim Nexhipi.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: