LUSHNJE – Pesë vëllezër nga Lushnja kanë përfunduar në pranga, pasi kanë rrahur tre të afërm të tyre për parkim makine. Burime nga policia lokale bënë me dije se ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Shën e Premte. Mësohet se personat e arrestuar janë: Genti Karaj 23 vjeç; Sami Karaj, 40 vjeç; Pëllumb Karaj, 29 vjeç; Gëzim Karaj, 43 vjeç si dhe Sadik Karaj, 31 vjeç.

Sipas bluve, vëllezërit në bashkëpunim me njëritjetrin kanë rrahur dajën e tyre 42-vjeçar B.D, djalin e këtij të fundit 21-vjeçar K.D. si dhe kunatin e dajës, A.Ç. Hetuesit e çështjes sqaruan se rreth orës 17:00, A.Ç. ka shkuar për drekë tek motra e tij në fshatin Shën e Premte, ndërsa makinën e kishte parkuar para banesës së motrës kunatit.

Ndërkohë, nipërit e B.D. sapo kanë parë makinën të parkuar para banesës së tyre kanë shkuar tek shtëpia e dajës, me të cilin nuk shkonin mirë. Pesë vëllezërit i kanë kërkuar llogari 42-vjeçarit se pse kunati i tij kishte parkuar makinën para banesës së tyre dhe më pas kanë nisur të debatojnë ashpër.

Debati ka degjeneruar në dhunë. Vëllezërit Karaj kanë rrahur dajën e tyre, të birin dhe kunatin e tij. Pas denoncimit të bërë nga 3 të dëmtuarit, policia e Lushnjës ka arrestuar agresorët, të cilët akuzohen për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” të kryera në bashkëpunim.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: