SHKODËR

Policia e Shkodrës ka arrestuar 4 persona pasi kanë qëlluar me armë zjarri. Efektivët kanë parandaluar përshkallëzimin e një konflikti të çastit teksa njëri prej shtetasve ka qëlluar në ajër me pistoletë.


Nga ndërhyrja e shpejtë e  policisë  u arrestuan në flagrancë dy shtetasit e përfshirë në konflikt , si dhe dy shokët e tyre për “Moskallzim krimi”.


Arrestimi tyre është kryer nga policia e qytetit verior në bashkbpunim me forcat “Shqiponja”. Në pranga kanë rënë Enton Dushaj, 33 vjeç, Kristian Shkambi, 26 vjeç, Eduard Bajramaj, 38 vjeç si dhe Ardit Bajramaj, 27 vjeç.


Gjithashtu policia vijon punën për gjetjen e armës së përdorur nga shtetasi Enton Dushaj, veprim i cili mund të kishte përfunduar fatal pas sherrit.

Njoftimi i policisë:

“Nga Strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim  me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Enton Dushaj, 33 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”, Shkodër, për veprat penale  “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike” parashikuar nga nenet 278, 84 dhe 274 të Kodit Penal

Kristian Shkambi, 26 vjeç, banues në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër për veprën penale “Moskallëzim krimi” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal. Ardit Bajramaj, 27 vjeç, banues në fshatin Llazan, Malësi e Madhe, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga nenet 300 dhe 278 të Kodit Penal

Eduard Bajramaj, 38 vjeç banues në fshatin Llazan, Malësi e Madhe, për veprën penale “Moskallëzim krimi” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal

Arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “Vasil Shanto”, Shkodër, në një lokal,  shtetasi Enton Dushaj, është konfliktuar me shtetasin Eduard Bajramaj. Shtetasi Enton Dushaj, në largim e sipër ka  qëlluar një herë në ajër me armë zjarri, pistoletë.

Me marrjen e njoftimit , Policia ka reaguar në kohë , duke kapur dhe arrestuar dy shtetasit e përfshirë në konflikt, si dhe dy shtetas të tjerë për moskallzim krimi, (shokë të tyre). Policia po vijon punën për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur nga shtetasi Enton Dushaj. Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

(n.m/BalkanWeb)