BERAT

Detaje të reja mësohen për ngjarjen e sotme në Berat ku një 40-vjeçar u hodh  nga kati i shtatë i një pallati. Gazetarja e “BalkanWeb”, Eneida Petova raporton se  Elton Riko babai i dy fëmijëve, mësohet se ka qenë duke debatuar ashpër me të atin e tij dhe në grindje e sipër, ai ka hipur në ballkonin e shtëpisë dhe është hedhur poshtë.


Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm në lagjen “30 Vjetori” në Berat. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit pa ndjenja dhe për shkak të gjendjes së tij kritike, 40-vjeçari është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.


Burimet në vendngjarje bëjnë me dije se gjatë rrëzimit 40-vjeçari është përplasur disa herë me tendat e ballkoneve të komshinjve dhe më pas ka rënë në oborrin e pallatit. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilët pas këqyrjes së vendit të ngjarjes po punojnë për zbardhjen e plotë të saj.


Burime të brendshme konfidenciale konfirmojnë se, Elton Riko kishte konflikte të vazhdueshme me të atin dhe ky mendohet të ketë qenë edhe shkaku i ndërmarrjes së këtij akti të rëndë. Burimet nga vendngjarja pohojnë jashtë kamerave se çifti Riko ishte një çift pa probleme dhe shumë të edukuar por djali, Eltoni, kishte vazhdimisht debate me të atin e tij.

(n.m/BalkanWeb)