DIBËR-Një konflikt për motive të dobëta ka degjeneruar deri në përdorimin e thikave, dhe për pasojë është plagosur një 49-vjeçar. Ngjarja në fjalë ndodhi rreth orës 03:00 në fshatin Sohodoll të Dibrës. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në pranga ra shtetasi me inicialet B.B., 40 vjeç.

Mësohet se i plagosuri dhe agresori nisën të konfliktoheshin në një lokal.Sapo u njoftuan për ngjarjen, shërbimet e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se në lokalin e shtetasit me inicialet B.C, ky i fundit po konfliktohej me shtetasin me inicialet B.B, 40 vjeç. Gjatë përleshjes ka mbetur i plagosur rëndë me mjete të ftohta (thikë) pronari i lokalit.

Ky i fundit po transportohet me helikopter për ndihmë më të specializuar drejt Tiranës. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore nga grupi hetimor dyshohet se konflikti ka nisur për motive të dobëta (grindje e çastit) ndërmjet dy shtetasve.

Pas ngjarjes autori dyshuar është larguar, por falë reagimit në kohë të Strukturave të DVP Dibër, është bërë e mundur gjetja, kapja dhe shoqërimi në ambientet e Policisë, i të dyshuarit B.B, i cili rezulton i dëmtuar lehtë gjatë konfliktit. Vijon puna për kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes së sipërpërmendur.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb