Një i ri nga Tropoja ka humbur jetën, pas një konflikti në kampin e azilkërkuesve në Bonn-Bad Godsberg të Gjermanisë. Mësohet se viktimë ka mbetur shtetasi Mikel Gjoçaj nga Tropoja, rreth 25-vjeç. Ai është qëlluar me thikë nga dy shtetas të tjerë shqiptarë, të cilët janë arrestuar nga policia.

Bëhet fjalë për një shtetas kosovar të moshës 26-vjeçare dhe një shtetas të Shqipërisë, 30 vjeç.  Sipas hetimeve të para, rreth orës 19 kishte shpërthyer një zënkë në mes të tre banorëve të kampit, duke degjeneruar në përdorimin e thikave. 

Ndihma e shpejtë nuk ka arritur të shpëtojë 25-vjeçarin nga Tropoja, i cili ka humbur jetën nga plagët e marra. Ende është e paqartë se cili ka qenë shkaku i konfliktit. Por personeli i sigurimit në kamp ka arritur të kapë të dyshuarit dhe t`i mbajë ata deri në ardhjen e policisë.

Në kampin në të cilin jetojnë rreth 240 azilkërkues, shumica dërmuese e banorëve janë nga Shqipëria dhe nga Kosova. Sakaq, mësohet se i riu që ka mbetur viktimë, jetonte i vetëm në Tropojë pasi prindërit babai kishte vdekur ndërsa nëna ishte rimartuar. Siç thonë banorë të zonës ai kishte shkuar në Gjermani për të përfituar azil dhe për të siguruar një jetë më të mirë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: