GREQI- Tre shoferë shqiptarë të taksive në stacionin e Larisës në Greqi kanë nxjerrë armët kundër njeri-tjetrit. Si pasojë, prej të shtënave, njëri prej tyre është plagosur në këmbë njoftuan mediat greke dhe është dërguar menjëherë në spital. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të mërkurës, pranë stacionit të taksive në Larisa. Policia shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, por nuk i ka bërë ende të ditura, emrat e tyre dhe shkaqet për të cilat shqiptarët debatuan me njeri tjetrin e përfunduan në konflikt të armatosur.


Mesa bëhet e ditur taksistët e kësaj zone kanë pasur konflikte edhe më herët. Banorët kanë bërë të ditur se taksistët shqiptarë dhe ata grekë janë konfliktuar edhe më herët për shkak të vendeve dhe pasagjerëve. Taksistët shqiptarë pak ditë më parë kanë pasur një debat mes njëri-tjetrit, që ka degjeneruar në dhunë, por policia nuk është njoftuar, pasi konflikti është shuar shpejt. Ky konflikt vjen pas disa debateve që ata kanë pasur. Burime pranë spitalit bëjnë me dije se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën, duke qenë se ka marrë një plagë sipërfaqësore.


Mediat greke e kanë raportuar menjëherë lajmin, duke sjellë edhe pamjet nga vendi i ngjarjes. Nga aq sa mund të dallohet, vendi është i mbuluar me gjak dhe banorët e zonës kanë mbetur të traumatizuar nga kjo skenë. Fillimisht kanë qenë taksistët vendas ata që kanë ndërhyrë për të shuar konfliktin, por teksa gjendja u rëndua, kanë njoftuar policinë. Deri më tani policia e Larisës ka shoqëruar taksistët shqiptarë, por edhe çdo person tjetër që ka dijeni për ngjarjen.


Policia thotë se po kërkon tre persona që ishin të përfshirë në ngjarje, pasi ende nuk është bërë i mundur ndalimi i autorit të plagosjes. Sipas dëshmitarëve kjo nuk është hera e parë që shqiptarët e kësaj zone krijojnë konflikte të dhunshme. Ata janë shprehur për mediat greke se disa shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Larisa janë shpesh problematik dhe të dhunshëm. Sipas tyre policia është në dijeni të këtyre personave dhe është duke i mbajtur nën vëzhgim.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Etiketa: