TROPOJË- Një sherr mes të rinjsh ka përfunduar me vrasjen e një 25-vjeçari në Tropojë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në fshatin Cërnicë të Tropojës ku ka humbur jetën është Ardit Mrishaj, 25 vjeç ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Florian Qehaja, 29 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në një prej lokaleve të fshatit ndërsa të rinjtë shihnin ndeshjen Portugali-Islandë. Pas një sherri fillimisht verbal e më pas fizik shtetasi Henerik Niklekaj, 22 vjeç dhe Fitim Niklekaj, 24 vjeç, banues në fshatin Cërnicë, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri  automatiku drejt personave me të cilët janë konfliktuar. Për pasojë ka humbur jetën, 25-vjeçari Mrishaj.

Më pas autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe policia po punon për kapjen e tyre. Grupi hetimor ka shkruar në vendngjarje dhe ka kryer veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

DEKLARATA E POLICISË
Policia identifikon autorët e dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardit Mrishaj dhe plagosjen e shtetasit F.Q. Shpallen në kërkim dy vëllezër si autor të dyshuar si dhe shoqërohet për veprime të
mëtejshme vëllai tjetër.

Më datë 14.06.2016, rreth orës 22:45, është marrë njoftim nga salla komandimit Tropojë, se në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit L.V, në fshatin Cërrnice, kishte ndodhur vrasje me armë zjarri.
Menjëherë forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje si dhe janë ngritur disa pika kontrolli.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës dhe të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, së bashku me grupin hetimor kanë shkuar në vendngjarje, për zbulimin e kësaj ngjarje të rëndë kriminale. Nga veprimet e deri tanishme ka rezultuar se në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit L.V, në fshatin Cërrnicë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit (vëllezër):

1. Henerik Niklekaj, 22 vjeç, banues në fshatin Cërrnicë,Tropojë (i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale).
2. Fitim Niklekaj, 24 vjeç, banues në fshatin Cërrnicë, Tropojë (i dënuar më parë për vepra të ndryshme penal)
3. Kastriot Niklekaj, 28 vjeç, banues në fshatin Cërrnicë, Tropojë (i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale), në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasve:

1. Ardit Mrishaj, 26 vjeç, banues në Cërrnicë, Tropojë.
2. F.Q., 29 vjeç, banues në Cërrnicë, Tropojë.
Ku si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Ardit Mrishaj dhe ka mbetur i plagosur shtetasi F.Q.

Në lidhje me këtë ngjarje janë shpallur në kërkim (vëllezërit) si autor të dyshuar, konkretisht shtetasit:
1. Henerik Niklekaj,
2. Fitim Niklekaj

Gjithashtu është shoqëruar njëri nga vëllezërit si bashkëpunëtor i dyshuar në ketë ngjarje, konkretisht shtetasi, Kastriot Niklekaj, si dhe disa shtetas të cilët janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethanat e hetimit.

Vazhdojnë veprimet hetimore dhe operative intensive për kapjen e shtetasve dhe vënien para përgjegjësisë ligjore.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprën penale të “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: