Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në vend vazhdojnë të jenë problematike. Pas rastit të Kadastrës së Vlorës, ku 3 drejtorë dhanë dorëheqjen brenda një muaji për një prone në bregdet, një rast tjetër, kësaj here me dhunë është regjistruar në Kadastrën e Tropojës.
Dy ditë më parë në zyrën e kreut të Kadastrës së Tropojës Blerant Lushaj, në vend të zgjidhjes qytetari ka marrë grushtet. Qytetari Ahmet Gjocaj është konfliktuar fizikisht me drejtorin e Kadastrës Blerant Lushaj. Shkak është bërë një pronë që qytetari kërkonte ta regjistronte prej tre vitesh. Pas kësaj ngjarje Gjocaj është arrestuar.
News24 ka siguruar dëshmitë e dhëna përpara oficerit të policisë gjyqësore, ku qytetari thotë se kreu i Kadastrës nuk i është përgjigjur disa herë shqetësimit të tij. Në datën 15 tetor qytetari ka hyrë në zyrën e drejtorit ku siç thotë është goditur prej këtij të fundit.
“Në 15 tetor i telefonova disa herë drejtorit Blerant Lushaj për problemin tim por ai nuk ma ka hapur telefonin, të cilit i kam rënë rreth shtatë herë. Nga kjo unë jam nisur për ta takuar tek zyra e tij. Sapo kam hyrë ne zyrë ai direkt më është përgjigjur ‘shko në sportel dhe merr sqarimet e duhura’. Ai u çua nga karrigia dhe më ka goditur me grusht në kokë. Në kushte të tilla dhe unë jam kundërpërgjigjur”, ka thënë qytetari.
Nga ana e tij drejtori i Kadastrës së Tropojës Blerant Lushaj ka thënë në polici se u dhunua nga qytetari, pa ndonjë arsye.
“Shtetasi Ahmet Gjocaj ka hyre direkt ne zyrën time dhe më ka goditur me grusht në buzën e sipërme, duke më shkaktuar dëmtime. Nuk e di pse më goditi dhe nuk jam në gjendje ta kuptoj. Deri tani asnjëherë nuk kam pasur probleme me këtë person”, është shprehur Lushaj.
Pas marrjes së deklarimeve gjykata e Tropojës e liroi qytetarin Ahmet Gjocaj duke vendosur për të vetëm “detyrim paraqitje”.
Burime për News24 bëjnë të ditur se drejtori i Kadastrës Blerant Lushaj njihet për precedentë të sjelljes së tij të keqe me qytetarët e Tropojës. Në ministrinë e drejtësisë dhe në drejtorinë e përgjithshme të Kadastrës rezultojnë një sërë ankesash për kreun e kadastrës së Tropojës, të cilin e akuzojnë jo vetëm për moszgjidhje të problemeve me pronat, por edhe për e arrogancë dhe konflikte të përsëritura.
(BalkanWeb)