Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Organizimi i zgjedhjeve të reja në Partinë Socialiste ka përplasur disa nga figurat e njohura në këtë parti. Një mbledhje e grupit për organizmin dhe koordinimin e fushatës së zgjedhjeve në PS, e organizuar të shtunën e javës që shkoi ka degjeneruar në fyerje të rënda mes deputetëve të qarkut të Vlorës. Por, burime për “Gazeta Shqiptare” pohojnë se “stuhia” vijoi edhe dje në mbledhjen e organizuar në orët e para të mëngjesit në selinë e PS-së.

Kryeministri Edi Rama mblodhi grupin e strategjisë për zgjedhjet, për ta informuar për kërkesën e bërë nga deputeti i Vlorës, Koço Kokëdhima, për shtyrje të datës së kongresit. Me vendim të Asamblesë, mbledhur më 18 korrik, Kongresi u caktua të mbahet në fund të janarit 2016, mirëpo deputeti Kokëdhima mësohet të jetë shprehur se organizmi i punës në bazë nuk mund të arrihet të bëhet deri në këtë afat të përcaktuar, ndaj ka propozuar shtyrjen e Kongresit. Në mbledhjen e djeshme nuk ka folur kryeministri Rama, i cili vetëm ka përcaktuar diskutimin për në mbledhjen e ditës së premte.

Por, Rama mësohet se ka kërkuar mendim prej kryetarit të Asamblesë e njëherësh të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi. Ky i fundit me ironi i ka thënë se nuk ka çfarë të thotë, përderisa këtë e ka thënë vetë Rama e Koço. Burimet bëjnë me dije për “Gazeta Shqiptare” se kreu i Asamblesë është shprehur kundër thyerjes së një vendimi të marrë nga forumi më i lartë pas Kongresit. Në mbështetje të Ruçit ishin dje edhe ministrat Saimir Tahiri, Blendi Klosi e Ditmir Bushati, të cilët janë shprehur se nuk mund të bëjnë atë që thotë Koço Kokëdhima.

Vetë Kokëdhima, mësohet të jetë shprehur: “Kam punuar shumë në zonë dhe i di mirë problematikat. Mbi këtë e bazoj edhe propozimin tim. Madje mund të them se jam edhe një nga njerëzit që ka punuar më shumë në PS për zgjedhjet në struktura. Ndaj po ju them se koha nuk mjafton deri në janar”. Tensioni i djeshëm vijoi atë që ndodhi të shtunën. Në mbledhjen e fundjavës, deputeti Koço Kokëdhima mësohet siç pohojnë burimet për “GSH” se ka paraqitur për gati një orë e gjysmë një platformë me propozimet e tij se si duhet të organizohet partia. Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë të gjithë deputetët e qarqeve Gjirokastër e Vlorë, thirrur nga kryeministri e kryetari i PS-së, Edi Rama.

Pas platformës së Kokëdhimës, mësohet se kryetari i grupit, Gramoz Ruçi reagoi i irrituar, duke i kërkuar Kokëdhimës që të mos bëjë si punëtor i madh. “Të të vijë turp se nuk ke bërë asgjë, përveçse ke shkelur çdo afat stature. Kush je ti që ke vendosur të shtyhet mbledhja e kongresit?! Ky është një vendim i marrë nga asambleja dhe askush nuk ka fuqi ta ndryshojë. Po ti duket se vetë vendos, vetë emëron, vetë përcakton. Asnjë nga deputetët nuk të do, se ti nuk i bën pjesë të punës”, – i është drejtuar Ruçi, Kokëdhimës.

Ajo që ka çuditur deputetët është mosndërhyrja e kryeministrit Edi Rama gjatë debateve. Deputetja socialiste e Qarkut të Vlorës, Valentina Leskaj mësohet të ketë theksuar rëndësinë që ka ky proces në aspektin politik. Ajo mësohet të jetë shprehur që të mos dërgohen e-maile për të parë çështjen e punësimeve, duke dashur që të mos u kushtojë rëndësi gjërave teknike. Debate të ashpra, deputeti Kokëdhima ka pasur me deputetin tjetër të Vlorës, Fatmir Toçi. Mësohet se Toçi e ka akuzuar Kokëdhimën për punësim të njerëzve me vendime personale, pa marrë parasysh kontributet e tyre dhe pa pyetur asnjë nga deputetët e qarkut.

“Të hidhesh pupthi ty nuk të do njeri. E mban veten si komandant të Jugut, por ti je ai që po e merr në qafë Jugun”, – mësohet të jetë shprehur Toçi, pohojnë burimet. Ndërkohë që Kokëdhima ka reaguar duke e quajtur deputetin Toçi “parazit”. Në mbrojtje të Kokëdhimës, deputetja Mira Shehu ka dashur të flasë, por nuk është lejuar nga kryetari i grupit, Ruçi. Në takimin e së shtunës kanë qenë edhe drejtues vendor të dy qarqeve.
DEBATI NË MBLEDHJEN E DJESHME TË GRUPIT PËR STRATEGJINË E ZGJEDHJEVE NË PS
EDI RAMA: Ka pasur një propozim nga deputeti Koço Kokëdhima për shtyrjen e kongresit. Ky duhet të diskutohet në mbledhjen e grupit, ditën e premte.
RAMA I DREJTOHET RUÇIT: Ka ndonjë mendim?
GRAMOZ RUÇI: Çfarë mund të them unë? I keni thënë të gjitha ti dhe Koço.
KOÇO KOKËDHIMA: Kam punuar shumë në zonë dhe i di mirë problematikat. Mbi këtë e bazoj edhe propozimin tim. Madje mund të them se jam edhe një nga njerëzit që ka punuar më shumë në PS për zgjedhjet në struktura. Ndaj po ju them se koha nuk mjafton deri në janar.

DEBATI NË MBLEDHJEN E SË SHTUNËS SË GRUPIT PËR ORGANIZIMIN E FUSHATËS SË ZGJEDHJEVE NË PS

Koço Kokëdhima paraqet platformën e tij me idetë si duhet të funksionojë PS-ja.
GRAMOZ RUÇI (I drejtohet Koço Kokëdhimës): I nderuar zotëri, mos na bëj sikur je punëtor i madh, sepse të kesh turp që nuk ke bërë asgjë, madje ke shkelur afatet statutore. Kush je ti që ke marrë vendim për shtyrjen e afatit të Kongresit?! Një vendim të tillë për caktimin e datës e ka marrë Asambleja. Po duket se kështu është kur ti emëron vetë, vendos vetë, përcakton vetë. Po fundja do të vijë kjo situatë, sepse ty të kanë bojkotuar gjithë deputetët.
VALENTINA LESKAJ: Ky proces duhet të jetë me rëndësi të madhe politike dhe nuk mendoj se u duhet dhënë rëndësi gjërave të vogla teknike. Sa u përket punësimeve, ju lutem mos na dërgoni e-maile, ku na kërkoni të shohim çështjen e punësimeve.
FATMIR TOÇI (I drejtohet Koço Kokëdhimës): Ti zotëri nuk pyet asnjë. E quan veten komandant të Jugut, por ti po e merr në qafë Jugun. Ke emëruar njerëz në punë pa pyetur askënd, as për kontributet e tyre. Ti të hidhesh pupthi nuk të do njeri atje.
KOKËDHIMA, TOÇIT: Ti je një parazit, ja se ç’je!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: