SHKODËR- Në mbledhjen e parë të zhvilluar pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Shkodër, ku PS doli forcë e tretë, socialistët nuk kanë mundur të ruajnë dot qetësinë. Dy deputetët Namik Kopliku e Mimoza Hafizi u kritikuan nga një pjesë e madhe në asamble për mungesën e angazhimit qoftë gjatë fushatës elektorale por edhe në ditët e numërimit të votave. Po ashtu një pjesë e asamblesë kërkuan zgjedhje brenda partisë dhe në rast se një gjë e tillë nuk ndodh atëherë për ta PS në Shkodër është e dështuar.

Sipas burimeve brenda PS-së në Shkodër, Kryetarët dhe ish-kryetarët e komunave e po ashtu edhe ish-drejtues të PS në vite, në një mbledhje të zhvilluar së fundmi, kanë qenë të ashpër dhe madje kanë ngritur edhe zërin. Punësimi ishte një tjetër çështje e debatuar, teksa u tha se nga socialistët për dy vite nuk janë punësuar më shumë se 400 vetë, shifër kjo që u cilësua e ulët.

Nga ana e saj ish-kandidatja Keti Bazhdari mësohet të ketë thënë se objektivi ka qenë marrja e 30 mijë votave, gjë që përafërsisht është arritur por sipas saj ka patur 16 mijë votues më shumë dhe këto pjesa më e madhe në fshatra pak orë përpara se të mbylleshin qendrat e votimit.

Bazhdari tha se nga këtu duhet të nisë analiza. Ish-kandidatja u ndërpre disa herë gjatë fjalës së saj nga deputeti Kopliku deri sa u detyrua t’i thotë “më lër të flas se ju keni ardhur në fushatë, keni thënë dy fjalë dhe keni ikur”. Një tjetër socialist u shpreh se “sikur të ishte shkrirë PS do ishin marrë më shumë vota” duke vënë theksin tek mungesa e angazhimit dhe organizimit brenda të majtëve.

Një debat u zhvillua edhe për aleatët e PS, LSI-në teksa u deklarua se dalja e Bazhdarit kudo përkrah LSI ka prishur imazhin dhe dukej sikur kandidatja ishte e LSI dhe jo e PS duke patur parasysh edhe rezultatin ku LSI doli forcë e dytë dhe PS e treta.

Duke qenë se ishte një mbledhje asambleje, një pjesë e madhe edhe pse nuk ishin të ftuar kanë shkuar edhe pa ftesë për të thënë fjalën e tyre. Tashmë duhet pritur muaji shtator ku në çdo rreth pritet të vijë kryetari i PS Edi Rama për të zhvilluar analiza edhe më të zgjeruara ku në Shkodër duket se do të ketë punë më shumë se kudo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb