*Mesohet se nje prej te plagosurve eshte kreu i Forumit Rinor te Partise Demokratike te Kavajes
*Autori shoqerohet dhe arrestohet ne Polici
*Ristani drejt Kavajës për të vizituar të plagosurit
KAVAJE– Vendimi i Gjykatës ditën e djeshme i cili i dha “arrest shtëpie” kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, është bërë shkak për plagosjen e tre persona me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit, rreth orës 13:00 në një lokal para Bashkisë së Kavajës, e cila ka nisur fillimisht si një debat mes autorit Sajmir Kurti dhe shtetasit Eqerem Kazazi.
Debati verbal ka degjeneruar në një sherr me grushte. Pas kësaj Kurti ka nxjerrë një pistoletë e ka qëlluar në drejtim të babë e bir, Eqerem dhe Irkid Kazazi.
Plumbat kanë prekur edhe shtetasin Dritan Xhixha, shites farash i cili ndodhej jashtë lokalit ku ka ndodhur konflikti.
Të plagosurit, të cilët janë dërguar në spitalin e qytetit, jane shtetasit; Eqerem Kazazi, 48 vjeç; Irkid Kazazi, 21 vjeç, dhe D.Xh, 46 vjeç. Mesohet se Irkid Kazazi eshte kreu i Forumit Rinor te Partise Demokratike te Kavajes.
Ne foto Irkid Kazazi

Nga të dhënat paraprake, mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
Ndërkaq, policia po vijon hetimet për ngjarjen.
Sajmir Kurti eshte nje personazh i njohur i jetes publike ne Kavaje. Ai ka qene Drejtor i Zyres se Punes te qytetit te Kavajes.
PAS NGJARJES, RISTANI NISET DREJT KAVAJES
Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani është nisur drejt Kavajës për të parë nga afër të lënduarit tek Spitali i Kavajës.
NJOFTIMI I POLICISE
Kavajë, Specialistët e Komisariatit të Kavajës, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të ngjarjes së ndodhur paradite në qytetin e Kavajës. Arrestohet shtetasi:
• Sajmir Kurti, 44 vjeç, banues në Kavajë.
Arrestimi i tij u bë pasi sot më datë 17.06.2016 rreth orës 10:30, tek shëtitorja “Indrit Cara” pranë Bashkisë Kavajë, ka patur një konflikt midis tij me shtetasit E. K. dhe djali i tij K. K.
Konflikti ka nisur për motive të dobëta (Bllokim rrugëkalim mjetesh). Për sqarimin e këtij konflikti shtetasi Sajmir Kurti është takuar tek lokali i shtetasit E. K., me kërkesën e këtij të fundit.
Shtetasi Sajmir Kurti ka nisur të debatojë me E. K. fillimisht e më pas edhe me djalin e këtij të fundit K.K.
Debati ka kaluar në sharje e ofendime dhe më pas i dyshuari Sajmir Kurti ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë duke ia drejtuar shtetasve të sipërcituar, ku debati ka vazhduar më pas në rrugë.
Në vazhdim të konfliktit Sajmir Kurti ka qëlluar me armën e zjarrit ku predha e qitur, nga kontakti i saj me objekt të forte (pllakë guri) është copëzuar, e për pasojë ka lënduar me dëmtime të lehta shtetasit E. K., 48 vjeç, K. K., 21 vjeç (at e bir) si dhe shtetasin D. Gj., 46 vjeç, i ndodhur aty pranë. Shtetasit e mësipërm ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
– Një automjet i tipit “Range Rover”, në pronësi të shtetasit Sajmir Kurti.
– Një armë zjarri pistoletë i kalibrit 9 mm, me një krehër me 14 fishekë
– Një gëzhoja e kalibrit 9 mm
Materialet procedurale i’u kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municioneve”, parashikuar nga Nenet 76, 22 dhe 278 të Kodit Penal
(el.sp/d.b/BalkanWeb)
